Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës
Nën intononim e himnit shtetërorë të Kosovës e me shumë fytyra publike të pranishëm është zhvilluar sot ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës. Zyrtarisht nga sot Policisë së Kosovës iu shtuan edhe 462 kadetë policorë. Me këtë rast në ceremoninë e diplomimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se atdheut…
Lajme
Nën intononim e himnit shtetërorë të Kosovës e me shumë fytyra publike të pranishëm është zhvilluar sot ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës.
Zyrtarisht nga sot Policisë së Kosovës iu shtuan edhe 462 kadetë policorë.
Me këtë rast në ceremoninë e diplomimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë, apo 462 djem dhe vajza në mbrojtje të vendit tonë.
Osmani gjithashtu deklaroi se Policia e Kosovës veçse po fuqizohet.
“Janë 56 vajza e gra në këtë grup, por na duhen dhe më shumë. Policia jonë është me ne në çdo ditë, në çdo festë, edhe kur ne pushojmë. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre është i pashoq… ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. I përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit dhe aty që ranë në detyrë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptar, 79 serb, 23 boshnjak, 6 turk, 3 ashkali dhe 2 rom.
Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe republikën e vendit.
Sveçla u shpreh se me diplomimin e gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë dhe më e sigurt.
Sipas tij, falë punës së pandalshme dhe profesionalizimit të Policisë e Kosovës, ajo renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi.
Sveçla potencoi se Kosova sot renditet e 22-ta në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.
Ai u drejtua policëve të rinj duke u thënë se sfidat do të jenë të shumta dhe se nuk do të jetë rrugë e lehtë.
Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.
Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.
Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës./Lajmi.net/