Dikur e quajti ‘argat të Serbisë’, a do të pranojë tani Mustafa të bëhet ‘argat’ i Kurtit?

Në zgjedhjet e vitit 2017, koalicioni PAN arriti të marr shumicën e ulëseve në Kuvend pasi iu bashkua Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit dhe Lista Serbe. Deri më tani, me Kuvendin udhëhoqi, Kadri Veseli i PDK-së, ndërsa Ramush Haradinaj i AAK-së, me Qeverinë.

Lajme

22/07/2019 23:20

Të pakënaqur në opozitë, mbetën Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kësaj të fundit, vitin e kaluar iu larguan 12 deputetë për shkak të pakënaqësive të shumta, dhe kaluan në PSD-në e Kaqusha Jasharit, e cila ua la në dorë partinë.

Opozita u mundua ta rrëzojë qeverinë Haradinaj, por nuk dha ndonjë rezultat pasi asnjëherë nuk arriti t’i siguronte numrat.

Albin Kurti i VV-së, i harroi inatet që i kishte me Isa Mustafën e LDK-së dhe e ftoi që ta ndihmonte për ta krijuar një mocion mosbesimi ndaj koalicionit PAN, shkruan lajmi.net.

Nga ajo ditë, Kurti dhe Mustafa dolën hapur dhe thanë se qeverinë Haradinaj ata do ta çonin në shtëpi.

Por këtë mundësi nuk ua dha Haradinaj, pasi javën që shkoi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Kjo për shkak të ftesës që ai kishte marrë nga Gjykata Speciale.

Përpos bashkëpunimit paraprak, LDK dhe VV duket se do vazhdojnë t’i bëjnë planet së bashku.

Mustafa dhe Kurti tani po diskutojnë për një koalicion parazgjedhor, por duket se është e vështirë të merren vesh për shkak të postit të kryeministrit, gjë të cilën e patën problem edhe në zgjedhjet e kaluara.

Edhe pse tani duket se e kanë lënë pas të kaluarën, Kurti nuk kishte pushuar asnjëherë së kritikuari Mustafën sa ishte kryeministër i Kosovës.

Madje, Vetëvendosje kishte mbajtur protesta të dhunshme, ku aktivistët e saj patën sulmuar edhe shtëpinë e të parit të LDK-së.

‘Argat të Serbisë’, Kurti e quajti Mustafën në protestat e 2015-ës, kur kërkohej nga ai të shkarkonte ministrin e atëhershëm Aleksandër Jabllanoviq. Më vonë, aktivistë të VV-së e sulmuan atë me vezë.

Të njëjtin vit, Kurti kishte thënë se Mustafën nuk e konsideron njeri serioz e as të sinqertë.

Se a do t’i ‘përpijë’ Mustafa të gjitha këto akuza e sulme ndaj tij ‘për një qeverisje cilësore’, mbetet të kuptohet ditëve në vazhdim. /Lajmi.net/