Dialogu nuk duhet të pezullohet
Analistët politikë konsiderojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë pas formimit të institucioneve të reja. Dialogu, sipas tyre, është një proces i rëndësishëm në mënyrë që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Lajme
Analisti Halil Matoshi duke folur për Radio Evropa e Lirë, konsideron se dialogu do të vazhdojë sipas agjendës së Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
“Dialogu do të vazhdojë, pa marrë parasysh konstelacionin e forcave brenda Kosovës, do të thotë se kush do ta ndërtojë qeverinë e re. Madje, liderët e koalicionit opozitar janë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun. Mirëpo, në këtë situatë ndërhyrja e Vetëvendosjes e ka ashpërsuar në një masë retorikën politike”.
Partitë e koalicionit opozitar, ndërkaq, janë përballur me një kusht të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në këmbim të votave për formimin e qeverisë, kërkon që dialogu me Serbinë të pezullohet. Ata po ashtu kërkojnë që ky dialog të riformatizohet, në mënyrë që të mos zgjatet në pafundësi, por që të fillojnë të zbatohen marrëveshjen e arritura.
Matoshi konsideron se janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çështja e dialogut të kuptohet si çështje e pezulluar.
“Në këtë çështje kanë ndikuar si serbët e veriut të Kosovës, po ashtu edhe partitë politike kosovare, posaçërisht Vetëvendosje. Ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve, po ashtu edhe konstituimi i komunave të reja në veriun e Kosovës, por edhe kjo performancë cinike mbi urën e lumit Ibër ka bërë që dialogu i mëtutjeshëm të shihet me dyshim”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë Matoshi.
Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj mendon se vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beogradi është i domosdoshëm. Ai thotë se pas formimit të institucioneve të reja, qeveria e ardhshme duhet të shkojë tutje me dialogun politik, jo vetën në kuptimin formal, por duhet të arrihen qëllimet e dialogut.
“Dialogu duhet të vazhdojë, sepse e dimë që ky dialog ka qenë një atu e fortë e Brukselit. Të gjitha këto vite e muaj Brukseli nuk do të lejojë që një gjë e tillë të dështojë. Por, prapë po them se varet shumë nga institucione e reja, varet shumë nga koha kur këto institucione do të formohen që të vazhdohet dialogu, respektivisht të shihen mbase modalitetet e reja se si ky dialog të vazhdohet. Para se të vazhdohet, normalisht, i rëndësishëm është zbatimi i të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur më herët”, ka thënë Mushkolaj për REL.