Dhurohet gjak për nder të Elvis Pistës

“Elvis, gjaku yt, gjaku jonë – ata marrin jetë, ne shpëtojmë për ty”, është motoja e ditës së shtunë, kur do të dhurohet gjaku në parkun e qytetit të Rahovecit, në organizimin e grupit të të rinjve dhe Iniciativës Pozitive.

Lajme

20/06/2014 00:33

Iniciativa Pozitive dhe grupi i të rinjve, që ka punuar me Elvis Pistën gjatë fushatës elektorale, kanë vendosur që me rastin e javës së dhurimit të gjakut, të shtunën, të mbahet ky organizim me një moto të veçantë, raporton Rahoveci24.

“Për nder të heroit të rënë të qytetit, Elvis Pista, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që t”i bashkëngjiten kësaj iniciative bamirëse, ashtu siç ka qenë vet heroi Elvis Pista”, ftojnë ata.

Organizimi mbahet nga ora 11:00 deri në orën 16:00 të ditës së shtunë dhe atë e përkrah edhe Kuvendi Komunal, Qendra për Transfuzionin e Gjakut dhe lokali Movenpick.

Ndryshe, Elvis Pista fitoi votat e mjaftueshme për të përfaqësuar Rahovecin në Kuvendin e Kosovës si deputet dhe priste vetëm certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.