Dezinformatat ndaj Kosovës, Perëndimit i kërkohet të ndryshojë qasje ndaj Serbisë

Propaganda serbe kundër Kosovës është një proces i vazhdueshëm dhe i organizuar prej shumë vitesh, duke përfshirë lobimin në fushat diplomatike dhe mediatike dhe çdo veprim i Serbisë është në kundërshtim me aleancën veri-atlantike. E për këtë, njohës të fushës së sigurisë thonë se Perëndimi duhet të ndryshojë qasjen ndaj shtetit serb. Se Serbia nuk…

Lajme

15/12/2024 14:25

Propaganda serbe kundër Kosovës është një proces i vazhdueshëm dhe i organizuar prej shumë vitesh, duke përfshirë lobimin në fushat diplomatike dhe mediatike dhe çdo veprim i Serbisë është në kundërshtim me aleancën veri-atlantike.

E për këtë, njohës të fushës së sigurisë thonë se Perëndimi duhet të ndryshojë qasjen ndaj shtetit serb.

Se Serbia nuk e ka ndërmend të ndalë luftën e saj të dezinformimit dhe propagandës karshi Kosovës dëshmojnë deklaratat e përditshme të udhëheqësve serbë, të cilët së fundmi janë shumë të zëshëm në pretendimet e tyre për gjoja “spastrim etnik” në Kosovë.

Jo rrallëherë përdoren edhe takimet për të keqinformuar lidhur me Kosovën.

“Zgjidhja e punëve me kërcënime, spastrimi etnik i serbëve në radhë të parë nga veriu i Kosovës nuk është politikë serioze dhe nuk sjell ndonjë rezultat të mire”, kishte thënë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nga Gjeneva e Zvicrës kur u pyet mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Nën këtë pretendim dezinformoi edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një takimi me ambasadoren e Kubës në Beograd.

Por, për profesorin e Shkencave të Sigurisë, Avni Islamin, këto dezinformata nuk mund të kenë peshë të madhe meqë siç thotë ai, çdo veprim i Serbisë është në kundërshtim me aleancën veri-atlantike.

“Sa i përket luftës hibride, përmes lajmeve ‘fake’ duhet ta kemi parasysh që jo vetëm Serbia, por edhe vendet e tjera janë duke përdorur për qëllime të veta dhe zakonisht informacionit i paraprijnë edhe veprimet që mund të ndërmerren nga një shtet e nga një organizatë. Unë deri sot besoj që institucionet e sigurisë së Kosovës dhe në përgjithësi shteti i Kosovës iu ka kundërpërgjigj këtyre dezinformatave dhe Serbia nuk ka arritur që të bëjë më tepër… Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe vendet aleate të Kosovës kanë përllogaritjet e tyre në aspektin global, në gjeopolitikë dhe në gjeostrategjikë dhe unë besoj se ata kanë zgjedhur një mënyrë që Serbia të mos rrëshqas nga ana e Rusisë. Ne jemi përkrah këtyre shteteve, ne e kemi përkrahjen e këtyre shteteve, unë nuk pres ndonjë veprim nga ana e Serbisë sepse çdo veprim i saj është në kundërshtim me aleancën veri-atlantike dhe perëndimin”, thotë ai.

Ndryshe mendon njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, sipas të cilit Kosova ka dështuar të shfrytëzojë partneritetin me aleatët strategjikë, në luftën kundër dezinformimit.

“Lufta speciale ose propagandistike e Serbisë nuk pushoi asnjëherë, është vështirë të ndalohet por, realiteti është që perëndimi duhet të ndryshojë qasjen ndaj Serbisë me ato gënjeshtrat, fabrikimin e informacioneve pra në dëm të Kosovës dhe të merr realisht burime nga ne. Ne akoma nuk jemi ashtu të fuqishëm, vetë luftojmë për të vërtetën por edhe për çështje tjera, sidomos kur ka të bëjë për pranimin tonë në organizata ndërkombëtare edhe në Bashkimin Evropian por edhe në organizata ndërkombëtare të sigurisë, por gjithsesi duhet të shfrytëzojmë partneritetin me partnerët tonë strategjikë që asnjëherë nuk e kemi bërë deri më tash, vazhdojmë të jemi injorantë ndaj tyre edhe normal po na kthehet si ‘boomerang’, edhe në të kaluarën edhe tash, për këtë arsye duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thotë ai.

Se fushta e dezinformimit nga ana e Serbisë po vazhdon të zhvillohet në mënyrë të organizuar në fushën diplomatike dhe mediatike, thotë hulumtuesi i lartë në Institutin për studime të luftës hibride Octopus, Gurakuç Kuçi.

“Propaganda serbe kundër Kosovës nuk është diçka e re që është duke ndodhur tani, por ka vite që propaganda serbe bën lobim kundër Kosovës në çështje diplomatike dhe mediale të ndryshme. Së fundmi, ata madje kanë angazhuar në formë publike edhe Arno Gujon, i cili merret me të ashtuquajturën diplomaci publike dhe kanë bërë kontratë dhe marrëveshje brenda Serbisë me shumë media në formë publike, po ashtu kanë organizuar edhe bashkëpunime me media të ndryshme…, ku të gjitha këto media duhet të propagandojnë pro-Serbisë dhe kundër ‘armiqve’ të Serbisë dhe ne e dimë që ata Kosovën e kanë në këtë vijë sepse vazhdimisht janë duke lobuar kundër Kosovës dhe së fundmi e kemi parë edhe në tri shtete evropiane të trashëgimisë kulturore me histori false në Kosovë që e bëri Arno Gujo”, thotë ai.

Sipas Kuçit, këto veprime përfshijnë propagandë të dëmshme për imazhin e vendit dhe përpjekje për të mbështetur Serbinë në skenën ndërkombëtare, duke krijuar histori false dhe duke lobuar kundër Perëndimit dhe Kosovës.

“Ata (Serbia) janë të angazhuar vazhdimisht me Rusinë që të bëjnë një propagandë të fuqishme kundër perëndimit dhe kundër Kosovës, e kemi parë që së fundi për BBC në emisionin ‘Hard Talk’, Aleksandër Vuçiq e kritikoi ashpër perëndimin për qasjen kinse të keqe ndaj Serbisë, ndërsa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme e ka quajtur ‘hipokrit’ perëndimin për veprimet e tij kinse kundër Serbisë e pro Kosovës”, deklaron Kuçi.

Kuçi thotë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për qasjen e saj karshi Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.