Detaje të reja nga Prokuroria: Nip e dajë në qendër të përleshjes me armë në Podujevë, katër persona përfunduan të plagosur
Departamenti për Krime të Rënda ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me përleshjen e armatosur që ndodhi sot rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ku mbetën të plagosur katër persona. Sipas Prokurorisë, në ngjarje janë përfshirë tre persona, të cilët dyshohet se kanë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri. Si…
Lajme
Departamenti për Krime të Rënda ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me përleshjen e armatosur që ndodhi sot rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ku mbetën të plagosur katër persona.
Sipas Prokurorisë, në ngjarje janë përfshirë tre persona, të cilët dyshohet se kanë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, lëndime trupore kanë pësuar të tre të përfshirët në konflikt, si dhe një kalimtar i rastit, transmeton lajmi.net.
Hetimet fillestare tregojnë se personat e përfshirë kanë lidhje familjare, konkretisht nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
“Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Katër të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Më herët gjatë ditës, prokurori kujdestar Menduhi Kastrati kishte deklaruar se dyshimet e para ishin se të përfshirët në konflikt kishin lidhje familjare, ndërsa motivi ende nuk ishte i qartë.
Edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, konfirmoi se tre nga të plagosurit ishin pjesëmarrës në konflikt, ndërsa i katërti ishte një kalimtar i rastit, i cili pësoi lëndime.
Nga Klinika Emergjente në QKUK është bërë e ditur se katër personat e plagosur kanë marrë plagë nga arma e zjarrit dhe, ndonëse lëndimet janë të rënda, gjendja e tyre është stabile.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Komunikata e plotë: