Detaje nga aksioni i SPAK/ Vlora Hyseni dyshohet se i çoi informacione shtetërore Ergys Agasit
Detaje të tjera mësohen në lidhje me operacionin e ndërmarrë mëngjesin e sotëm nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që po vijojnë për aferën e AKSHI-t. Me vendim të GJKKO, u caktua masa “arrest në shtëpi” për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni dhe pezullim nga detyra,…
Lajme
Detaje të tjera mësohen në lidhje me operacionin e ndërmarrë mëngjesin e sotëm nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që po vijojnë për aferën e AKSHI-t.
Me vendim të GJKKO, u caktua masa “arrest në shtëpi” për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni dhe pezullim nga detyra, ndërsa ndaj ish kreut të Policisë, Ilir Proda, u ushtruan kontrolle në banesën e tij.
Gazetarja Klodiana Lala, raporton se ndaj Hysenit rëndojnë dy akuza, nxjerrje të sekretit hetimor dhe përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se ka favorizuar në arrati Ergys Agasin, që u arrestua pak javë më parë.
Po ashtu, në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluci, Shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe Embro Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e kuajve” në Durrës.
Sulejmani punonte si administrator në një lokal në bllokun qeveritar dhe dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Agasit, për të fshehur gjurmët që ai frekuentonte këto ambiente.
“Prokurorët kanë kërkuar arrest në burg për Fatjon Kallucin, Shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë dhe Embro Sulejmani, pronar biznesi në Durrës, i cili rezulton se punonte në një lokal në bllokun qeveritar dhe dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë në momentin e arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët që Agasi kishte frekuentuar këto ambiente. Janë duke vijua kontrolle në disa baza dhe biznese në Durrës”, tha ajo.