Dëshira për të qenë Major
Agim Çeku i çoi selam LDK’së që të bëhet gati për humbje. Po u bë Kryetar i Komunës, tha se do ta marrë Gradën Major. E Thaçi përmendi fillimin e betejës për fitore. Po flitet për Prishtinën, apo jo?
Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, pohon të mos i ketë hyrë kësaj gare, thjesht, për karrierë politike. Ai dha një shpjegim interesant mes Gradës Gjeneral që ka aktualisht, dhe Gradës Major, një shkallë më poshtë, që thotë se mund ta marrë, në rast se i buzëqesh fati dhe zgjidhet Kryetar i Kryeqytetit.
PDK organizoi mbrëmjen e së enjtes një ceremoni, ku në prezencë të Kryeministrit dhe Kryetarit të kësaj partie, Hashim Thaçi, u prezantuan kandidatët për Asamblenë Komunale.
Çeku falënderoi Thaçin për kandidimin e tij, ndërsa i çoi selam LDK’së që të bëhet gati për humbje, me 3 nëntor.
“Kur të bëhem Kryetar i Prishtinës do të më quajnë Major i Prishtinës. Kush e kupton, mund ta dijë se Grada e Majorit është shumë më e ultë se Grada e Gjeneralit”.
“Sidoqoftë edhe këtë sakrificë do ta bëj për Prishtinën.”
“Nuk është ky projekt imi personal. Është projekt i partisë më të madhe në vend, PDK’së – e cila pas angazhimeve historike që i ka bërë për vendin ka vendosur që të bëjë ndryshime edhe në Prishtinë dhe t’ia ndryshojë faqen dhe ta bëjë Kryeqytet të dinjitetshëm që të krenohemi të gjithë”.
Lëvdata për Çekun ka shprehur edhe vetë Kryeministri Thaçi, i cili tha se kandidati i PDK’së për Kryeqytetin është personalitet me virtytet më të larta njerëzore, që tërë jetën së bashku me familjen e tij i ka shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Po fillojmë sonte nga ky shesh betejën për fitoren e madhe të PDK’së, të Prishtinës, dhe për Agim Çekun Kryetar të Prishtinës. Kryeministri Çeku dhe Ministri aktual ka virtytet më të larta njerëzore, profesionale dhe kombëtare”.
“PDK me mbështetje të shumë personaliteteve me ndikim në opinionin publik kosovar i ka ofruar Prishtinës personalitetin që tejkalon kornizat partiake, kornizat e ngushta të fushëveprimit politik. Një personalitet që njeh dhe respekton Kosova, për punën e tij të palodhshme dhe të paçmueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.
(Kosovapress, lajmi.net)