Derisa qeveritarët thurin lavde për Telekomin, punëtorët janë ende pa paga- Sindikata njofton se xhirollogaritë janë të bllokuara
Sindikata e Telekomit të Kosovës ka njoftuar se ka kaluar një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës. Në një reagim për media nga kjo sindikatë është theksuar se pavarësisht kësaj situate, institucionet po vazhdojnë të jenë të heshtura. Po ashtu ata kanë kërkuar që Prokuroria të nis hetimet në këtë…
Lajme
Sindikata e Telekomit të Kosovës ka njoftuar se ka kaluar një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.
Në një reagim për media nga kjo sindikatë është theksuar se pavarësisht kësaj situate, institucionet po vazhdojnë të jenë të heshtura.
Po ashtu ata kanë kërkuar që Prokuroria të nis hetimet në këtë çështje dhe që institucionet t’u garantojnë punëtorëve marrjen e pagave, transmeton lajmi.net.
E ky reagim vie në kohën kur kryeministri Albin Kurti e shumë zyrtarë të tjerë po mundohen që të ngrisin lartë Telekomin me lëvdata, duke thënë se po “rimëkëmbët” derisa në fakt aty s’ka as paga për punëtorët.
Reagimi i plotë:
U benë një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës, një veprim i ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile, një kompani kriminale që ka vepruar përmes kontratave të dyshimta dhe të bazuara në korrupsion. Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të, Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj.
Ndërsa ne përballemi me pasojat e kësaj afere të gjatë kriminale që ka gërryer Telekomit të Kosovës, ndër vite, institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, vazhdojnë të heshtin.
Mungesa e veprimit nga ana e tyre jo vetëm që inkurajon padrejtësinë, por gjithashtu sinjalizon mosinteresim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe të pronës publike.
Kërkojmë dhe apelojmë urgjentisht:
1.Veprim nga Prokuroria – që të nisë hetimet për këtë çështje dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
2.Marrje masash nga institucionet relevante, për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij.
3.Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë.
Si përfaqësues të punëtorëve, ne jemi të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në kërkimin e drejtësisë për një kompani që ka mbetur peng i lidhjeve kriminale dhe korruptive.
Në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovës, kërkojmë që ky abuzim i hapur të marrë fund dhe që drejtësia të vihet në vend./Lajmi.net/