Dënohen me burgim tre zyrtarë për dallavere me prona

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me burgim ish- referentin në Gjykatën e Pejës, Jahja Imami, drejtorin e Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës Ismet Kryeziu, si dhe Shërbim Berishën, kurse ka liruar nga akuza të pandehurën Valbona Naka.

Lajme

20/03/2019 14:43

Kjo gjykatë, të akuzuarin Imami e ka shpallur fajtor për marrje të ryshfetit duke e dënuar me dy vjet burgim, kurse për shpërdorim të pozitës zyrtare e ka dënuar me një vit burgim.

Ndaj tij është shqiptuar dënimin unik prej dy vjet e gjashtë muaj, kurse ka refuzuar dy vepra penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar për shkak të parashkrimit absolut.

I akuzuari  Kryeziu është dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të dënuarve, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, ka thënë se do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

I akuzuari Shërbim Berisha, është dënuar me gjashtë muaj për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, kurse një vit për veprën penale të mashtrimit.

Dënimin unik ndaj tij e ka shqiptuar në kohëzgjatje prej një viti e dy muaj.

Ndërkaq, e akuzuara Valbona Naka, është liruar nga akuza në mungesë të provave, pasi sipas gjykatëses Gërguri, nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale.

Të dënuarit janë detyruar që të paguajnë shpenzimet e procedurës penale si dhe  në emër të paushallit secili veç e veç 300 euro brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Jahja Imami, në bashkim real ka kryer tri vepra penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Imami akuzohet se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012,  ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare dukë marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës, raporton “BetimipërDrejtësi”.

Ismet Kryeziu, akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, pasi që i njëjti dyshohet se me dijeni ka lejuar ndërrimin e ngastrave kadastrale.

Valbona Naka, akuzohet se në cilësinë e udhëheqëses për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, si dhe ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Kurse, Shërbim Berisha, sipas aktakuzës, gjatë muajit mars të vitit 2011, në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart në emër të Milivoje Qosoviq.

Berisha, sipas ankesës ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, përmes të pandehurit Ismet Kryeziu, t’i bart këto ngastra në emër të Milivoje Qosoviq. Sipas aktakuzës, Kryeziu, duke shfuqizuar aktvendimin e Drejtorisë Komunale për Kadastër dhe Gjeodezi të Deçanit, ka obliguar këtë drejtori që të regjistrojë të drejtën e pronës në emër të Milivoje Qosoviq.

Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtarëve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gjithashtu, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim”. Sipas aktakuzës, me qëllim që t’i sjell vetes përfitim të kundërligjshëm, i ka vënë në lajthim Ngadhnjim Ukhaxhaj dhe Jeton Aliçkaj, duke u shitur ngastra kadastrale prej shumës 80.000 euro, ngastra të bartura në bazë të dokumentit të falsifikuar, të cilat i ka bartur në emër të Milivoje Qosoviq.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon të akuzuarin Viçenc Komani, për veprat penale “dhënie ryshfeti” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”. Prokuroria pretendon se gjatë viteve 2011-2012 i akuzuari, i ka dhënë ryshfet Jahja Imamit, referent për vërtetime të kontratave në ish-Gjykatën Komunale në Pejë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Komani ka dhënë dy herë nga 1.000 euro, me qëllim vërtetimin e kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata të falsifikuara nga vet i pandehuri Komani.

Sipas aktakuzës, pas vërtetimit të kontratave fiktive nga i akuzuari Viçenc Komani, të njëjtat i ka përdorur dhe i ka dorëzuar pranë shërbimit kadastral në Komunën e Gjakovës. Kur aty nuk ka mundur të bëjë bartjen në librat kadastral, i njëjti ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, të sigurojë aktvendimin për lejimin e regjistrimit të kësaj ngastre kadastrale, ashtu siç figuron në kontratën e falsifikuar.

Ndërsa, aktakuzën ndaj Fatmir Muriqit e kishte ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, me anë të së cilës ka pretenduar se i njëjti nuk ka qenë i autorizuar të përpilojë kontratën mbi shitblerjen, e aq më pak t’i shesë parcelat e blerësve. Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Muriqi kishte keqpërdorur autorizimin e tij, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 100.000,00 euro.

Ndryshe, pjesë e kësaj aktakuze është edhe Jahja Imami, i cili sipas prokurorisë, duke qenë në pozitën e referentit për vërtetime të kontratave të ish-Gjykatës së Qarkut në Pejë, i ka mundësuar të akuzuarit Fatmir Muriqi, përfitimin e 100.000.00 eurove, duke vërtetuar këtë kontratë pa e lexuar fare autorizimin.

Gjykata Themelore në Pejë, më 10 prill 2016, kishte marr aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Një gjë e tillë ka ndodhur me arsyetimin se i akuzuari Imami ka qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, ndërsa për këtë arsye kjo e fundit nuk mund të procedoi tutje në këtë çështje penale.