Demokracia Plus: OSHP-ja trajton vetëm çerekun e ankesave brenda afatit

Organizata Demokraci Plus (D+) në analizën e publikuar me titull “Shqyrtimi i ankesave dhe mjetet juridike në prokurimin publik në Kosovë” trajton modelin dhe problemet me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur edhe si “Gjykata e Tenderëve”. Përmes një njoftimi për medie D+ në analizën e saj bën të ditur se të gjitha projektet…

Lajme

29/10/2025 12:44

Organizata Demokraci Plus (D+) në analizën e publikuar me titull “Shqyrtimi i ankesave dhe mjetet juridike në prokurimin publik në Kosovë” trajton modelin dhe problemet me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur edhe si “Gjykata e Tenderëve”.

Përmes një njoftimi për medie D+ në analizën e saj bën të ditur se të gjitha projektet publike në Kosovë, si ndërtimi i spitaleve, shkollave, rrugëve, çerdheve, ujësjellësve apo ndriçimit publik, realizohen përmes kontratave publike. Vetëm gjatë vitit 2024 janë lidhur mbi 10 mijë kontrata të tilla në vlerë prej 941 milionë euro, që përbëjnë afër 30% të buxhetit të shtetit.

“Një nga institucionet kyçe për garantimin e transparencës dhe drejtësisë në procesin e prokurimit publik është OSHP, e cila trajton ankesat e operatorëve ekonomikë. Vetëm gjatë vitit 2024, ky organ ka pranuar mbi 1 mijë ankesa, secila prej të cilave, me automatizëm, pezullon zbatimin e projekteve publike deri në marrjen e një vendimi. Megjithatë, nga mbi 1 mijë ankesa të dorëzuara në OSHP gjatë vitit 2024, vetëm rreth 25% janë trajtuar brenda afateve ligjore. Një nga arsyet kryesore për këtë mungesë efikasiteti është fakti që nga qershori i vitit 2022, OSHP-ja ka funksionuar për më shumë se 85% të kohës me bord jo të plotë, gjë që ka pamundësuar shqyrtimin në kohë të rasteve dhe ka krijuar një grumbullim të konsiderueshëm të lëndëve të pazgjidhura”, thuhet në njoftim.

Demokracia Plus sqaron se kjo situatë tregon se ky organ nuk po arrin të përmbushë mandatin e tij ligjor për shqyrtim të shpejtë dhe efektiv të ankesave, duke ndikuar drejtpërdrejt në realizimin me kohë të projekteve publike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Në një vend si Kosova, ku nevoja për projekte zhvillimore është e madhe, funksionimi efikas dhe i paanshëm i institucioneve përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave mbetet thelbësor për garantimin e besueshmërisë dhe transparencës në prokurimin publik”, thuhet në njoftim.

Tutje, analiza e publikuar nga D+ vlerëson modelin që Kosova ka zgjedhur për shqyrtimin e ankesave në prokurim publik, sfidat që e bëjnë atë joefektiv dhe mungesën e kapaciteteve institucionale për përmbushjen e mandatit ligjor. Dokumenti paraqet gjithashtu rekomandime konkrete për forcimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të këtij mekanizmi, me qëllim që projektet publike të mos mbesin peng i neglizhencës institucionale.