Demokracia me gjysmën e zërit!

Naile Dema Selmani, gazetare Në një nga debatet zgjedhore të vitit 2021, isha e vetmja grua në panel. Natyrisht, jo si kandidate. Isha bashkautore dhe moderatore e emisionit. Njëri prej kandidatëve nuk më shikonte as kur i drejtohesha me pyetje. I përgjigjej kolegut tim burrë, sikur unë të mos isha aty fare. Vetëm pasi i…

Opinion

20/11/2025 08:51

Naile Dema Selmani, gazetare

Në një nga debatet zgjedhore të vitit 2021, isha e vetmja grua në panel. Natyrisht, jo si kandidate. Isha bashkautore dhe moderatore e emisionit.

Njëri prej kandidatëve nuk më shikonte as kur i drejtohesha me pyetje. I përgjigjej kolegut tim burrë, sikur unë të mos isha aty fare. Vetëm pasi i thashë qartë, “nuk të jap fjalën më, nëse nuk më përgjigjesh mua, sepse unë po të bëj pyetjen”, ai ndaloi dhe ndryshoi qasjen.

Në dukje, një episod i vogël. Por, simbolikisht, një pasqyrë shumë e qartë e një realiteti më të gjerë. Imagjinoni, nëse kështu trajtohet një grua me mbi njëzet vjet pjesë e jetës publike, si trajtohen vajzat e reja që sot po hyjnë në politikë, në kuvende komunale, apo janë në studio televizive për herë të parë?

Ndërkohë, vet mediat ende nuk e marrin sistematikisht parasysh balancën gjinore në debate. Raportet e organizatave të shoqërisë civile dhe misionit të BE-së nënvizojnë se panelet dhe debatet shumë shpesh vazhdojnë të jenë të dominuara nga burra, ndërsa gratë shfaqen rrallë ose hiç si zëra kryesorë të fushatës.

Kjo nuk do të thotë që nuk ka gra aktive. Do të thotë që strukturat ende nuk janë të menduara për t’i parë ato si aktore kryesore politike.

Gruaja që flet qartë, shpesh etikohet si “agresive”. Gruaja që peshon fjalën, shihet si “e dobët”. Kur është e re, ia ulin peshën e zërit me arsyetimin “s’ka përvojë”. Kur është e vendosur, e cilësojnë si “e vështirë”.

Këto etiketime krijojnë presion të heshtur.

Shumë gra hezitojnë të dalin në debat televiziv pikërisht nga frika se do të gjykohen jo për idetë, por për tonin, pamjen, moshën …

Në të njëjtën kohë, duhet pranuar se ambienti publik në Kosovë shpesh mbetet aspak miqësor për gratë. Ai është i mbushur me paragjykime, tallje, presione morale dhe politike që synojnë t’i dekurajojnë ato. Por, ky realitet nuk mund të shërbejë si arsye për të heshtur. Edhe pse sistemi shpesh është i padrejtë, përgjegjësia për ndryshim nuk mund t’u lihet vetëm institucioneve apo partive. Edhe vetë gratë duhet të marrin përsipër pjesën e tyre të guximit, të kërkojnë hapësirë, të mos pranojnë të margjinalizohen dhe kur është e nevojshme, të paguajnë çmimin që kërkon angazhimi publik, sepse pa këtë përfshirje aktive, ndryshimi mbetet vetëm dhe thjesht dëshirë.

Prandaj, pjesëmarrja e grave në media dhe debate zgjedhore është e domosdoshme, përveç shumë çështjeve të tjera, edhe për t’u bërë model për vajzat dhe djemtë që nesër do të vendosin nëse publikja është vend edhe për ta.

Sa më shumë që gratë të jenë të pranishme në këto formate, aq më shumë normalizohet ideja se zëri i tyre është pjesë e natyrshme e diskursit politik.

E, kur jemi te politika, barazia gjinore duket mirë në letër dhe kjo ‘falë’ kërkesës ekskluzive të ligjit, sipas të cilit së paku 30 përqind në listat zgjedhore duhet të jenë gra.

Por, pyetja kryesore është: a përkthehet kjo në pushtet real, a përkthehet në zë real dhe më e rëndësishmja a ka ndikim real?!

Analiza e Democracy for Development (D4D) për përbërjen gjinore të listave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 tregon se partitë politike, në thelb, e kanë mbajtur vetëm minimumin ligjor. Gratë janë futur në lista aq sa “duhet”, jo aq sa duan dhe mund të jenë pjesë e politikës.

Në të njëjtat zgjedhje, raportet e misionit të vëzhgimit të Bashkimit Evropian (EU EOM) theksojnë se, pavarësisht që prania e grave në lista është rritur krahasimisht me të kaluarën, ato vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në fushatë dhe kanë qasje më të kufizuar në burime dhe në ekspozim mediatik krahasuar me kolegët burra.

Edhe më e ‘zëshme’ është panorama në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe raportimeve mediatike, nga 206 kandidatë për kryetarë komunash, vetëm 20 ishin gra.

Më problematik akoma është rezultati: nga këto 20 gra, vetëm një grua fitoi mandatin e kryetares së komunës, ajo në Ranillug.

Kjo do të thotë se në 37 komuna të tjera, pushteti ekzekutiv lokal mbetet ekskluzivisht në duart e burrave. Dhe, kjo po ndodh në një vend që ndërkohë ka pasur dy presidente gra.

Pra, në krye mund të duket se barazia ka bërë hapa përpara. Por, në bazë, në komuna, në asamble, në jetën e përditshme politike, realiteti mbetet kryesisht botë burrash.

Megjithatë, nën sipërfaqen e këtyre numrave, dua ta veçoj një gjeneratë grash që po përpiqen shumë dhe përditë ta ndryshojnë këtë kulturë.

Në shumë komuna, gratë asambleiste janë duke ngritur çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: transportin publik, sigurinë në shkolla, shërbimet sociale, korrupsionin në nivel lokal. Edhe nëse nuk janë titullare të posteve të larta, ato po e përdorin hapësirën që kanë për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie.

Këta shembuj nuk vijnë gjithmonë me tituj të mëdhenj.

Dhe, pikërisht për këtë, ato janë të rëndësishme: tregojnë se ndryshimi nuk vjen vetëm nga lart, por edhe nga gratë që çdo ditë zgjedhin të mos heshtin në hapësirat ku veprojnë.

E, një demokraci ku zëri i grave mbetet në margjina, është një demokraci që funksionon vetëm me gjysmën e potencialit të saj.

Prandaj, pyetja nuk është më nëse gratë “duhet” të jenë në politikë.

Pyetja është: sa gjatë do të vazhdojmë të humbasim cilësinë e demokracisë, duke mos i dëgjuar plotësisht ato?!

(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)