Demaçi: Protestat paqësore nuk guxojnë të shndërrohen në dhunë

Adem Demaçi ka thënë se është për të ardhur keq se si protestat paqësore po shndërrohen në dhunë. Ai ka thënë se protestuesit duhet të protestojnë kundër sistemit politik të imponuar, e jo të kërkojnë largimin e individëve, sikur që po kërkojnë largimin e Jabllanoviqit. 

Lajme

24/01/2015 19:11

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, duke komentuar protestën e sotme, në një bisedë për lajmi.net, ka thënë se është për të ardhur keq se si protestat paqësore tek ne po kthehen në dhunë.

Ai ka thënë se për këtë nuk mund të fajësohen as organizatorët pasi sipas tij, ka persona që nuk shkojnë për të protestuar në mënyrë paqësore.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se këto veprime të dhunshme nuk shkojnë në të mirë të askujt. 

“Protesta paqësore duhet me qenë paqësor nuk guxojnë me u shndërruar në dhunë. Mirëpo, te ne në këto protesta po përzihet edhe njerëzit të cilët janë për dhunë. Dhe ata që i organizojnë këto protesta nuk kanë mundësi ti ndalojnë që ti bashkohen, sepse qëllimi i tyre është që të kenë sa më shumë pjesëmarrës e në mesin e atyre ka që nuk shkojnë me protestuar në mënyrë paqësore”.

“Kjo është për të ardhur keq. Por këto çrregullime nuk shkojnë as në favor të atyre që i organizojnë e protestat e as të atyre që bëjnë dhunë”, ka thënë Demaçi.

Ai ka thënë se Jabllanoviq është produkt i sistemit që na është imponuar dhe shkarkimi i tij nuk e zgjidh problemin sepse Serbia ka të tillë mjaft.

Demaçi për lajmi.net ka thënë se duhet protestuar kundër sistemit që ka mundësuar që njerëzve si Jabllanoviq, tu mundësohet që ta vënë në shprehje fanatizmin e tyre.

“Jabllonoviqi është produkt i sistemit të mbrapsht i cili na është imponuar neve, ai sistem po lejon që ne të na vinë ministra prej Serbie dhe po na përjashtohen atë serb që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me shqiptarët”.

“Njerëzit që na imponon Serbia, ata nuk kanë të drejtë të jenë as deputet tanë e aq më pak anëtar të qeverisë”.

“Ata që protestojnë kundër Jablalnoviqit duhet të protestojnë kundër sistemit i cili ia  bënë të mundur shokëve të Jabllanoviqit që të vinë në shprehje fanatizmi i tyre”.

“Nuk është zgjidhje që të hiqet Jabllanoviqi, Serbia ka të tillë sa te dush, por të ndërpritet dhe të largohet sistemi i cili e bënë të mundur që Serbia, të ketë aso privilegjesh që faktikisht janë mënyra më e keqe e përzierjes në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Demaçi ka thënë se edhe miqtë ndërkombëtar duhet të kuptojnë nga këto demonstrata që ta përmirësojnë gabimin e tyre.

“Këta që po thirren se janë miqtë tanë që deklarohen që janë për të ruajtur paqen duhet  ta kuptojnë nga këto demonstrata se gabimi i tyre duhet të korrigjohet sa më shpejtë. Sa më shumë që do ta vonojnë këtë punë gabimet do të përmirësohen më me vështirësi dhe dëmet do të jenë më të mëdha”, ka thënë Demaçi, për lajmi.net.