Deliu-Kodra kërkon hetim më të thellë për rastin “Lule Gjeli”: Të zbardhet i gjithë rrjeti

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me rastin e profilit të rremë “Lule Gjeli”, duke kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm te identifikimi i një profili anonim. Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të zbardhë plotësisht rastin dhe të hetojë çdo person që mund të ketë qenë i përfshirë në këtë çështje,…

Lajme

28/07/2026 11:29

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me rastin e profilit të rremë “Lule Gjeli”, duke kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm te identifikimi i një profili anonim.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të zbardhë plotësisht rastin dhe të hetojë çdo person që mund të ketë qenë i përfshirë në këtë çështje, transmeton lajmi.net.

“Nëse Prokuroria e mbyll këtë rast vetëm me emrin “Lule Gjeli”, atëherë ka dështuar ta gjejë të vërtetën. Askush nuk beson se një profil anonim mund të ketë ushtruar për vite me radhë ndikim të madh, pa mbështetje, pa koordinim dhe pa njerëz pas tij. Pikërisht për këtë arsye, hetimi duhet të shkojë shumë më thellë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, hetimet duhet të përqendrohen në zbulimin e çdo strukture të mundshme që mund të ketë vepruar pas këtij profili, duke përfshirë organizimin, financimin dhe koordinimin e aktivitetit të tij.

“Duhet të hetohet nëse ka ekzistuar një rrjet i organizuar, kush e ka ndërtuar, kush e ka financuar, kush e ka koordinuar dhe kush ka përfituar prej tij. Duhet të merren në pyetje të gjithë ata që mund të kenë dijeni për këtë mekanizëm, pa përjashtime. Duhet të verifikohen edhe deklaratat publike të Florim Krasniqit dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës. Nëse ka pasur një makineri propagandistike që ka shpifur, ka linçuar dhe ka manipuluar opinionin publik, atëherë përgjegjësia nuk mund të ndalet te një profil anonim. Duhet të arrijë te çdo person që mund të ketë urdhëruar, financuar apo koordinuar një veprimtari të tillë, nëse kjo provohet”, tha ajo ndër të tjera./lajmi.net/