Dekonspirohet dhe vritet një bashkëpunëtor i AKI-së në Siri
Një bashkëpunëtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) është dekonspiruar dhe ekzekutuar në Siri. Ai është vrarë në fillim të këtij viti, pak kohë pas dërgimit nga AKI-ja në cilësi të spiunit.

Lajme
Viktima ka qenë i infiltruar brenda grupeve xhihadiste shqiptare, pjesë e organizatave terroriste, ka mësuar “Koha Ditore”.
Burime të ndryshme, përfshirë ato në Agjencinë Kosovare në Inteligjencës, kanë bërë të ditur se ky agjent i rekrutuar pas përfshirjes së kosovarëve në luftën e Sirisë është ekzekutuar nga afërsia.
Këto burime kanë shprehur dyshimin se ai është dekonspiruar dhe është ekzekutuar.
Burime nga Agjencia kanë thënë se ai nuk është trajtuar mirë duke u lënë pa ndihmë dhe pa udhëzime të nevojshme.
Zyrtarët shtetërorë kanë heshtur për këtë.
Kreu i AKI-së, Bashkim Smakaj, nuk u është përgjigjur pyetjeve të “Kohës Ditore”.
Ai nuk ka sqaruar se në çfarë rrethanash është vrarë ky agjent.
Gazeta nuk ka mundur të marrë qëndrim as nga Qeveria e Kosovës.
Për këtë vrasje Bashkim Smakaj nuk ka raportuar fare para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Gazeta ka mësuar se gjatë raportimeve deputetët ishin interesuar për përfshirjen e kosovarëve në organizata terroriste, Smakaj kishte thënë se “i ka njerëzit atje dhe situata është nën kontroll”.