Deklarimet e Prattipatit për gazin, Hoti kritikon qeverinë: Projekti i anuluar nga Kurti i ka kushtuar Kosovës humbje të mëdha

Ditën e sotme, e Ngarkuara me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ka bërë thirrje që Kosova të pranojë projektet amerikane të gazit, duke theksuar se, ‘‘mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet’’, dhe se, në të ardhmen, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj. Lidhur…

Lajme

04/06/2026 16:33

Ditën e sotme, e Ngarkuara me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ka bërë thirrje që Kosova të pranojë projektet amerikane të gazit, duke theksuar se, ‘‘mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet’’, dhe se, në të ardhmen, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

Lidhur me këtë, ka reaguar, ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit, ka thënë se qeveria e ardhshme, duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projektit të centralit energjetik me gaz amerikan, dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar.

‘’ Ndërkohë që vendet e rajonit kanë lëvizur përpara dhe kanë përqafuar mundësitë që ofrojnë projektet energjetike amerikane, Kosova ka mbetur prapa për shkak të vendimeve të gabuara, të motivuara më shumë nga kalkulimet politike sesa nga interesi shtetëror’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi:

Centrali energjetik me gaz amerikan – projekti që u anulua nga Kurti dhe sejmenët e tij – i ka kushtuar secilës familje kosovare mijëra euro dhe i ka shkaktuar Kosovës humbje të mëdha strategjike.

Siç u dëshmua edhe sot nga mesazhi i qartë i diplomacisë amerikane, ky projekt nuk ka qenë thjesht një investim energjetik. Ai është esencial për pavarësinë energjetike të Kosovës, për sigurinë tonë ekonomike dhe për forcimin e partneritetit me aleatin tonë më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë që vendet e rajonit kanë lëvizur përpara dhe kanë përqafuar mundësitë që ofrojnë projektet energjetike amerikane, Kosova ka mbetur prapa për shkak të vendimeve të gabuara, të motivuara më shumë nga kalkulimet politike sesa nga interesi shtetëror.

Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projekti dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar.

Jam krenar që e kam mbrojtur këtë projekt bashkë me shumë kolegë, në një kohë kur shumica dërrmuese e lidershipit politik në Kosovë ose heshtte, ose e neglizhonte, ose e kritikonte.

Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë se anulimi i tij ishte një gabim i madh strategjik, pasojat e të cilit po i paguajnë qytetarët e Kosovës.

Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj energjetike duke refuzuar alternativat që e bëjnë më të pavarur, më të zhvilluar dhe më të lidhur me botën perëndimore.

Koha për ta korrigjuar këtë gabim është më 7 qershor.