Hamza zotohet për realizimin e projektit të gazit amerikan: Kosova nuk mund të paguajë më çmimin e refuzimeve ideologjike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ripërsëritur zotimin e tij për realizimin e projektit që do ta lidhte Kosovën me gazin amerikan, pas mesazhit të fundit të dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me sigurinë energjetike të vendit. Përmes një reagimi publik, Hamza tha se si…

Lajme

04/06/2026 17:20

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ripërsëritur zotimin e tij për realizimin e projektit që do ta lidhte Kosovën me gazin amerikan, pas mesazhit të fundit të dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me sigurinë energjetike të vendit.

Përmes një reagimi publik, Hamza tha se si kryeministër i ardhshëm do ta jetësojë këtë projekt, duke vlerësuar se Kosova nuk mund të vazhdojë të humbasë kohë për shkak të, siç u shpreh ai, “refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit”.

“Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme”, ka deklaruar Hamza.

Ai theksoi se për PDK-në partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm, duke e cilësuar gazin amerikan si një mundësi për rritjen e sigurisë energjetike, tërheqjen e investimeve dhe uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset.

Sipas Hamzës, projekti do të sillte më shumë siguri energjetike, më pak ndotje dhe energji më të përballueshme për ekonominë e vendit.

Reagimi i tij vjen pasi e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, paralajmëroi se Kosova po përballet me vështirësi në përmbushjen e kërkesave në rritje për energji dhe se në të ardhmen do të varet gjithnjë e më shumë nga importet energjetike.

Në një editorial, Prattipati i bëri thirrje Kosovës që t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara në Ballkan, duke argumentuar se ato mund të sigurojnë furnizim me gaz natyror të lëngshëm (GNL) nga SHBA-ja dhe të forcojnë partneritetin ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po ngushtohet dhe se vonesat mund ta lënë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan. Hamza, në reagimin e tij, tha se “koha për të vepruar është tani”, duke theksuar se Kosova duhet të ecë përpara në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Postimi i plotë i Bedri Hamzës: 
Për gazin amerikan kam folur edhe të shtunën. Sot, pas mesazhit të qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përsëris edhe një herë zotimin tim.
Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.
Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme.
Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër.
Gazi amerikan nënkupton më shumë siguri energjetike, më shumë investime, më pak ndotje dhe, mbi të gjitha, energji me çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.
Koha për të vepruar është tani. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord.
Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 🇽🇰🇺🇸./lajmi.net/