Deklaratat e Kurtit e Osmanit karshi Kushtetueses | Ambasada e Gjermanisë: Vendimet e Gjykatës të respektohen, të gjithë politikanët të veprojnë në përputhje me këtë

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka dhënë një qëndrim të qartë lidhur me deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në një përgjigje për lajmi.net, zyrtarja gjermane Catalina Heine, shefe e Kulturës, Shtypit dhe Komunikimit në Ambasadën Gjermane, tha se Gjykata Kushtetuese është një institucion demokratik dhe i pavarur, dhe vendimet e…

Lajme

12/09/2025 15:53

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka dhënë një qëndrim të qartë lidhur me deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për lajmi.net, zyrtarja gjermane Catalina Heine, shefe e Kulturës, Shtypit dhe Komunikimit në Ambasadën Gjermane, tha se Gjykata Kushtetuese është një institucion demokratik dhe i pavarur, dhe vendimet e saj duhet të respektohen.

“Gjykata Kushtetuese është një institucion themelor, i pavarur dhe demokratik në Kosovë dhe si e tillë është e rëndësishme që vendimet e saj të respektohen dhe që të gjithë politikanët të veprojnë në përputhje me këtë.” – deklaroi Catalina Heine për lajmi.net.

Deklarata e saj vjen pas një sërë komentesh dhe kritikash publike të bëra nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Presidentja Vjosa Osmani, të cilat janë cilësuar si përpjekje për të delegjitimuar vendimet e Kushtetueses, në kontekstin e çështjes për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb në Kuvend.

Më herët, më 9 shtator, Ambasada Gjermane në Kosovë pati lëshuar një deklaratë tjetër zyrtare, ku theksohej nevoja për respektim të plotë të pavarësisë së gjyqësorit:

“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit si një gur themeli i sundimit të ligjit. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë sistemit gjyqësor dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale.”

Ambasada i bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mbajnë qëndrime të përgjegjshme dhe të mos e minojnë integritetin e institucioneve kushtetuese, veçanërisht në një kohë kur Kosova përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme në konsolidimin e rendit demokratik dhe sundimit të ligjit.

Për këtë çështje gjatë ditës ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes zëdhënësit Nikola Gaon, i cili për lajmi.net ka dhënë këtë prononcim të qartë:

“Roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të sigurojë pajtueshmërinë me Kushtetutën e Kosovës. Të gjithë akterët dhe institucionet politike të Kosovës kanë për obligim të respektojnë këtë rol, dhe të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje e papërshtatshme në punën e gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe sulmet personale.”

Tutje, BE-ja nënvizon se zgjidhja e bllokadës politike është përgjegjësi e të gjitha partive politike, dhe se një zgjidhje e tillë kërkon dialog dhe kompromise, në përputhje me parimet demokratike dhe karakterin shumetnik të shtetit të Kosovës.

“Përgjegjësia për të zgjidhur një bllokadë politike u takon para së gjithash të gjitha partive politike, të cilat mund ta shmangin atë përmes dialogut dhe kompromiseve për të kapërcyer bllokadën institucionale dhe për të ruajtur karakterin demokratik dhe shumetnik të Kosovës.”, tha zyra e BE-së.

Sot SHBA njoftoi pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën, si përgjigje ndaj, sipas tyre, veprimeve të njëanshme dhe të papërgjegjshme të Qeverisë Kurti, të cilat kanë minuar partneritetin dhe stabilitetin demokratik në vend.

Shtetet e Bashkuara theksuan se përkrahja për popullin e Kosovës mbetet e palëkundur, por bashkëpunimi me qeverinë aktuale është bërë i pamundur për shkak të qëndrimeve dhe retorikës së saj konfrontuese.

Ky vendim përbën një moment kritik në marrëdhëniet Kosovë–SHBA, dhe është paralajmërimi më serioz diplomatik që Uashingtoni i ka dhënë ndonjëherë Prishtinës që nga shpallja e pavarësisë.

Njoftimi i plotë nga Ambasada Amerikane:

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të Qeverisë kujdestare, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për përparim të përbashkët ekonomik. Për fat të keq, veprimet dhe deklaratat e fundit të Kryeministrit kujdestar Kurti kanë krijuar sfida për progresin që është arritur ndër vite.

Dialogu Strategjik ishte menduar të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike në dobi të qytetarëve amerikanë dhe atyre kosovarë. Shpresojmë që në të ardhmen të mund të vazhdojmë këto përpjekje, kur të jenë krijuar kushtet e duhura. Ne e dimë se ky është një synim i rëndësishëm për popullin e Kosovës./lajmi.net/