Deda për gjashtë deputetët e LDK-së: Problemi i tyre nuk është Kurti, por Bekim Sejdiu
Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas deklarimeve të gjashtë deputetëve të LDK-së se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president, duke thënë se problemi i tyre nuk është as Albin Kurti e as LVV-ja, por vetë Sejdiu. “Tash po bëhet më e qartë se problemi i gjashtë deputetëve të LDK-së nuk është as…
Lajme
Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas deklarimeve të gjashtë deputetëve të LDK-së se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president, duke thënë se problemi i tyre nuk është as Albin Kurti e as LVV-ja, por vetë Sejdiu.
“Tash po bëhet më e qartë se problemi i gjashtë deputetëve të LDK-së nuk është as Albin Kurti, as LVV por Bekim Sejdiu, sepse si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk e kishte mbivendosë interesin e LDK-së ndaj Kushtetutës”, ka shkruar Deda.
Sipas tij, Sejdiu nuk e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti, por qeveria ishte rrëzuar për shkak se ishte zgjedhur me një votë të pavlefshme, gjë që, siç ka thënë Deda, ishte konstatuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese.
“A nuk është bash mbrojtja e Kushtetutës interesi kryesor që një president duhet t’a ketë, pa marr parasysh interesin partiak?”, ka pyetur Deda.
Ai ka thënë se, në thelb, sot po refuzohet votimi i një personi për shkak se ai kishte respektuar Kushtetutën në një rast kur kjo i kishte kushtuar pushtetin LDK-së.
“Pra, në esencë sot po refuzohet votimi i një njeriu sepse ai e ka respektuar Kushtetutën atëherë kur respektimi i saj i kushtoi pushtetin partisë së tyre. Që do të thotë që nuk paska kundërshti ndaj qeverisjes por kundërshtim personal, për inate personale. Gjithsesi pa politikë”, ka shkruar ai.
Në fund, Deda ka kritikuar këtë qëndrim, duke e cilësuar si hakmarrje ndaj institucionalizmit.
“E kjo, miq, nuk është opozitarizëm ndaj LVV-së, por hakmarrje ndaj institucionalizmit që LDK pretendon se e përfaqëson dhe e kultivon”, ka përfunduar Deda.