Daut Haradinaj reagon pas protestës së fermerëve në Drenas: Është marre kjo që po ndodh me prodhuesit vendorë

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas protestës së fermerëve në Drenas, të cilët derdhën qumësht në kanal në shenjë pakënaqësie ndaj uljes së çmimit të blerjes nga qumështoret. Sipas fermerëve, çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në rreth 27 deri në 30 centë për litër, duke e…

Lajme

10/05/2026 11:36

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas protestës së fermerëve në Drenas, të cilët derdhën qumësht në kanal në shenjë pakënaqësie ndaj uljes së çmimit të blerjes nga qumështoret.

Sipas fermerëve, çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në rreth 27 deri në 30 centë për litër, duke e bërë të vështirë vazhdimin e prodhimit dhe duke shkaktuar humbje për sektorin e blegtorisë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar situatën si shqetësuese dhe ka kritikuar mungesën e mbështetjes institucionale për prodhuesit vendorë.

“Është për keqardhje pamjet e derdhjes së qumështit në lumenj e në rrugë në këtë kohë, e kjo për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka kritikuar edhe prioritetet e institucioneve, duke thënë se fermerët po përballen me vështirësi serioze në mungesë të përkrahjes.

Fermerët kanë kërkuar masa urgjente për stabilizimin e çmimit të qumështit dhe mbështetje më të madhe për prodhuesit vendorë, ndërsa kanë paralajmëruar përkeqësim të situatës nëse nuk ndërhyhet shpejt. /Lajmi.net/