Daçiq: Së shpejti do të qartësohet statusi i qendrës ruse në Nish
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se statusi i një qendre ruse në qytetin Nish do të qartësohet shpejt.
Lajme
Daçiq i tha së përditshmes serbe “Veçernje Novosti” se Beogradi do të vendosë shpejt nëse do t’i japë ose jo statusin diplomatik stafit të Qendrës Humanitare Ruso-Serbe.
Ai tha se personalisht nuk e përkrah idenë.
Komentet e Daçiqit vijnë tri ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, në Uashington.
Bisedimet e tyre kanë prekur edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë.
Stafi në qendrën ruso-serbe ka thënë se dëshiron statusin e njëjtë diplomatik sikurse stafi i NATO-s në Serbi.
Kur kjo qendër është themeluar në vitin 2012, zyrtarët rusë kanë thënë se qëllim i tyre është të ndihmojnë në trajtimin e katastrofave natyrore dhe se nuk kanë qëllime politike.
Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, ka thënë në muajin maj se qendra mund të ketë motive të tjera, si ndikimi në opinionin publik.