​Kosova pa institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, shqetësuese devijimi social

Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Viktimat marrin shërbime të përkohshme, por pa trajtim adekuat. Njohës të shërbimeve sociale thonë se të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion meqë nuk arrijnë të rehabilitohen e as riintegrohen. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë zotohet se brenda vitit do të themelohet…

Lajme

04/05/2024 11:53

Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Viktimat marrin shërbime të përkohshme, por pa trajtim adekuat. Njohës të shërbimeve sociale thonë se të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion meqë nuk arrijnë të rehabilitohen e as riintegrohen. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë zotohet se brenda vitit do të themelohet qendra e parë për trajtimin e këtyre rasteve.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë dhunuar seksualisht 90 persona, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

“Gjatë vitit 2023 janë ngacmuar seksualisht 76 persona. Ka pasur tentativë për dhunim ndaj shtatë personave, të kryera 90 raste. Janë sulmuar seksualisht 65 persona, ndërkaq ka qenë një rast i tentativës”, thuhet në përgjigjen së Policisë së Kosovës.

Vebi Mujku, i cili udhëheq Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale thotë se shteti ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e trajtimit të këtyre rasteve.

“Qasja ndaj viktimave të dhunës seksuale, me theks të veçantë, ende nuk është kuptuar mirë nga institucionet përgjegjëse të shtetit. Sepse, shumë herë përzihen me viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje dhe në forma të tjera të dhunës. Mirëpo, dhuna seksuale, me theks të veçantë dhunimi seksual tek të miturat është një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese në shoqërinë tonë sepse kemi devijim social në shoqëri, sidomos viteve të fundit ku kemi një numër të madh të rasteve, nuk është kuptuar ende”,deklaron Mujku.

Njohësi i politikave sociale dhe shërbimeve sociale shton se Kosova ka nevojë për themelimin e qendrës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Kosova ka nevojë që ta ketë një qendër, e cila qendër do të trajtojë në mënyrë të specializuar. Aktualisht as institucioni si Qendër për Punë Sociale, as strehimoret aktuale nuk janë të përgatitura që të trajtojnë këto raste në shtigje afatgjate. Kryesisht ofrohen disa shërbime disa ditore ose javore, mirëpo rehabilitimi i këtyre rasteve kërkon një kohë shumë më të gjatë dhe një përkushtim profesional shumë të gjatë. Pse e themi këtë? Pikërisht për shkak të faktit që në shumicën e rasteve viktimat e dhunës seksuale, me theks të veçantë të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion në mungesë të trajtimit adekuat”,shton ai.

Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për më shumë se dy dekada trajton rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, ofrojnë shërbime direkte për fëmijët e atakuar nga ngacmimet apo dhuna seksuale. Feride Rushiti, e cila udhëheq këtë qendër thotë se viktimat e dhunës seksuale po kalojnë nga një derë në tjetrën.

“Është shumë e rëndësishme me qenë një institucion i tillë ku i përmban gjitha profilet e mundshme të shërbimeve, për faktin që kur ndonjë një krim i tillë sidomos kur flasim për mosha të tilla, për vajza të reja, ne kemi moshë shtatë vjeçe, nëntë vjeçe, 11 vjet, 16 vjet e raste të tjera, familjarët e kanë të vështirë për të ditur ku të referohen edhe ku të kërkojnë ndihmë. Duke e pasur një qendër referente, vetëm për viktimat e dhunës seksuale në rrethana aktuale, natyrisht e dinë edhe institucionet përcjellëse, qoftë policia, qoftë Qendra për Punë Sociale, qoftë mbrojtësit e viktimave, por edhe familjarët ku ta dërgojnë rastin, ekzaminimet e nevojshme, ekzaminimet forenzike dhe referimi për institucionet e tjera. Derisa në këto rrethana qysh mund të ndodhë që rasti kalon prej një dere në derën tjetër”,shprehet Rushiti.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se këtë vit do të themelohet qendra për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Kjo është në planin tonë të punës për vitin 2024. Ne e kemi diskutuar këtë çështje edhe në grupin ndërministror kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe një nga aktivitetet e këtij viti do të jetë themelimi i kësaj qendre që del nga strategjia për parandalim dhe adresim të dhunës në familje, dhunës mbi bazë gjinore, por sikur edhe nga Konventa e Stambollit. Në këtë drejtim do të mbështetemi nga OSBE dhe nga EULEX-i si dy partnerë kyç të Ministrisë së Drejtësisë. Ekspertët e këtyre dy organizatave do të merren me rastin ose me hulumtime se si e kanë të rregulluar vendet tjera në mënyrë që të përshtaten me Republikën e Kosovës. Por unë jam shumë optimiste që kjo qendër do të krijohet gjatë këtij viti”, deklaron ajo.

Ajo shton se vitin e kaluar janë ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim dhe një nga ndryshimet më të rëndësishme që kanë bërë, siç thekson ajo, është protokolli për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.