Daçiq: Për Serbinë i pranueshëm vetëm neutraliteti i statusit të Kosovës

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se për Serbinë nuk do të jetë e pranueshme nëse nuk ndërrohet platforma negociuese e BE-së për kapitullin e 35-të, e cila i referohet vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan RTS.

Lajme

13/10/2015 10:11

“Gjithkush e di se sa larg mund të shkojë Serbia. Serbia mund të shkojë deri të linja e neutralitetit të statusit. Qartë thuhet se për asgjë që nuk është dakorduar në Bruksel, nuk mund të jetë në platformën negociuese. Fatmirësisht, aty janë edhe pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka deklaruar Daçiq, transmeton lajmi.net.

Ai tha se procedura formale lejon shtetet anëtare të deklarohen për platformën e BE-së, dhe pranoi se është shumë i sigurt se do të ketë ndryshime të tekstit, dhe se për atë tekst deri në dhjetor duhet të deklarohen Këshilli Evropian dhe shtetet anëtare.

Daçiq, thotë se Serbinë po e habit qasja e vendeve dhe partnerëve nga Perëndimi të cilët po e ndryshojnë tekstin e platformës pa e informuar Serbinë.

“Ne nuk kemi nevojë të dakordohemi për çdo gjë, por qasja duhet të jetë miqësore dhe kjo është ajo që në e kundërshtojnë nga vendet e Perëndimit që e kanë njohur Kosovën, sepse nuk po veprojnë me mirëkuptim dhe marrëveshje me Serbinë”, ka shtuar Daçiq. (lajmi.net)