Dacic po legjitimohet në Kosovë
Glauk Konjufca mendon se Ivica Dacic po legjitimohet si faktor në Kosovë nga Kryeministri Thaçi. Arben Gashi e sheh shqetësuese ndërhyrjen e shtetit serb në zgjedhjet e Kosovës.

Lajme
Deputeti Glauk Konjufca mendon se me bisedimet e Kryeministrit Thaçi me homologun e tij Dacic për çështjen e zgjedhjeve lokale në fakt po e pranon atë “si instancë dhe faktor” në Kosovë.
“Duke u takuar me Dacic Qeveria po e pranon atë si një instancë dhe faktorë në vendin tonë. Thaçi duke u takuar dhe negociuar me një person që thotë se përfaqëson Kosovën, po e legjitimon atë”.
“Kjo Qeveri po shndërron çdo çështje të brendshme të shtetësisë së Kosovës në temë me negociata me Serbinë”.
Sipas Konjufcës, Thaçi nuk mund të bisedojë me Dacicin sepse “ai po kërcënon me luftë nëse zgjidhet një kryetar komune shqiptar në pjesën veriore të vendit”.
“Si mund të quhet ai njeri i paqes kur ai kërcënon me luftë. Kjo tregon se kush në të vërtet po tregon se kush po qeverisë veriun”.
“Kësaj i thonë kërcënim me luftë”.
“Qeveria e rehabilitoi Dacicin i cili i ka duart e lyera me gjakun e shqiptarëve”.
“Normalizimi i marrëdhënieve mund të ndodh vetëm kur Serbia të heq dorë nga ky plan hegjemonist”, tha Konjufca, gjatë seancës sëe sotme në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq shqetësuese për deputetin nga LDK Arben Gashi është humbja “e territorit” në jug të vendit, në komunat ku banojnë pakica serbe.
Sipas tij. ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhor janë problematike.
“Ka ndodhë që në jug të Kosovës janë mbajtur zgjedhjet për pakicën serbe dhe janë lejuar që të vijnë liderët serbë dhe të kërkojnë votën për një listë të caktuar”.
“Kjo gjë është shqetësuese. Ka krijuar një ribalancim të pakicës serbe, dhe ne kemi humbje të territorit tashmë kemi edhe radikalizim në pjesën e jugut të Kosovës”.
“Kjo ndërhyrje direkte e Serbisë në Kosovë ka denigruar rëndë pakicën serbe të Kosovës”.
Gashi më shqetësues e sheh edhe deklarimin e Kryeministrit serb Dacic kur ka thënë se “roli i Serbisë brenda Kosovës është në veri të vendit”.
“Në veri është gjendja problematike dhe shqetësuese”.
“Kjo deklaratë dhe ky qëndrim është mjaft shqetësues por dhe edhe qëndrimi i kryeministrit tonë është mjaft shqetësues. Poashtu kjo jep të kuptojmë se kryeministri i Kosovës nuk ka plan sa i përket zgjedhjeve”, tha deputeti Arben Gashi.