Costa: Kosova mund të përparojë dhe të përshpejtojë reformat drejt BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende mundësi të shënojnë përparim dhe të përshpejtojnë reformat e nevojshme drejt anëtarësimit në BE. Në një deklaratë në kuadër të Samitit të…

Lajme

03/11/2026 22:31

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende mundësi të shënojnë përparim dhe të përshpejtojnë reformat e nevojshme drejt anëtarësimit në BE.

Në një deklaratë në kuadër të Samitit të Zgjerimit të BE-së të organizuar nga Euronews 2026, Costa ka ritheksuar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur Kosovën së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke vlerësuar se këto vende kanë ende mundësi të shënojnë përparim dhe të përshpejtojnë reformat në procesin e integrimit evropian.

“Është bindja ime e palëkundur se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Dhe besoj se Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova mund të bëjnë ende përparim të mëtejshëm dhe të përshpejtojnë reformat e nevojshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar Costa.

Ai ka theksuar se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i drejtë, i qëndrueshëm dhe i bazuar në merita, ndërsa ka nënvizuar rëndësinë e reformave, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Costa ka bërë të ditur se pas tri javësh do të zhvillojë diskutime me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e katërt BE-Ballkani Perëndimor, gjatë mandatit të tij.

Ai ka theksuar gjithashtu se anëtarësimi në BE nuk nënkupton vetëm përafrimin e ligjeve dhe institucioneve, por edhe ndërtimin e besimit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve.