Çmenduri të flemë mbi ari e të kërkojmë miell

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, thotë se është çmenduri që qytetarët nga kushtet e rënda ekonomike dhe varfëria e skajshme të kërkojnë miell, ndërkohë që flenë mbi ari. Thotë se do bëjë ndryshimin e premtuar dhe do t'ia kthej namin Mitrovicës e Kosovës.

Lajme

15/01/2014 09:00

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, thotë se do t’ia kthej namin jo vetëm këtij qyteti, por edhe Kosovës.

Ai po kërkon përkrahje nga niveli qendror për të përmbushur premtimet e tij për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Bahtiri ishte mysafir i Programit të Mëngjesit në RTK, ku u shpreh se nuk kërkon para nga Qeveria e Kosovës për të përmbushur premtimet e tij, por kërkon vetëm Ligjin për Trepçën dhe Zonën e Lirë Ekonomike.

Asgjë më tepër.

Të tjerat premton se do t’i bëjë vet.

“Buxheti i Komunës sonë është shumë i vogël”.

“Unë i kam dy kërkesa që i kam bërë në Qeverinë e Kosovës, që bashkarisht të marrim masa dhe ta sjellim në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Trepçën dhe Zonën e Lirë Ekonomike, ligje këto që më ndihmojë shumë për të bërë atë që unë kam menduar”.

Dhe, është optimist se kërkesat e tij do të përmbushen.

“Unë nuk njoh njerëz që nuk duan të punojnë në të mirë të popullit dhe unë nuk njoh as njerëz të cilët dëshirojnë që të zvarrisin çështjet të cilat na sjellin benifite të mëdha për popullin”.

“Trepça është e tejkaluar mendojë unë, sepse janë 15 vjet që nuk veprohet atje. Është gabim që ajo të menaxhohet nga AKP’ja e cila nuk e di se ku është Trepça dhe cilat janë problemet e saj. Kjo s’është e drejtë”.

“Njerëzit të flenë mbi ari dhe të kërkojnë miell, kjo është çmenduri”.

“Unë do të kujdesem për të gjithë qytetarët dhe të gjithë pasurinë që ne e kemi si Komunë”.

“Sigurisht që do të bëj presion edhe te z.Pacolli por dhe te z.Fadil Ismajli dhe të gjithë të tjerët që për të mirën e të gjithë qytetarëve”.

“Zona Ekonomike është shumë domethënëse sepse pas Zonës së Lirë Ekonomike unë do të thërras një konferencë ndërkombëtare të biznesit dhe do shihni se sa njerëz do të investojnë në Mitrovicë”.

“Unë pres shumë biznesmen, tani me datën 19 i kam nga Japonia nga Korea dhe nga Gjermania”.

“Nga biznesi im jam tërhequr në mënyrë vullnetare dhe në qoftëse Qeveria e Kosovës nuk më ndihmon në realizimin e këtyre dy pikave të cila i kam kërkuar përmes një shkrese nuk më mbetet tjetër veçse të jap dorëheqje. Sepse unë s’kam ardhur këtu për karrierë politike, por kam ardhur për t’ i ndihmuar popullit”.

Bahtiri nuk pret të ketë telashe as në Kuvendin Komunal ku kërkohet shumica për marrjen e vendimeve.

Thotë se do të angazhohet për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë.

“Unë mendoj që jemi mirë sepse asnjëherë nuk do të ndodh që në Asamblenë Komunale të aprovohet një ligj apo ndonjë kërkesë e imja që është personale apo klanore por do të jetë gjithçka në interes të qytetarit”.

“Ata janë të votuar prej qytetarëve dhe gjithçka çka është në të mirë të qytetarëve do të votohet”.

Kryetari i Mitrovicës, që është konsideruar si befasia më e madhe e zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, thotë se nuk do të tolerojë fare korrupsionin.

“Kam biseduar edhe me Policinë edhe me Gjyqësinë e Kosovës në mënyrë që të kem edhe përkrahjen e tyre të fuqishme që të mos lejojmë këto gjëra të na çojnë në skajshmëri të pafund”.

“Unë kam besim se do t’i ndali dhe besoni që në Mitrovicë nuk do të ketë njeri që guxon t’i kërkoj dikujt një cent”.

“Mitrovica do të jetë qyteti i parë që do t’ia kthej namin krejt Kosovës”.

“Unë e kam një mision të veçantë për t’i ndihmuar këtij vendi dhe ai që guxon që t’i prek 71 mijë banorët e Mitrovicës, të familjes sime, do të përballet me ligjin në çdo formë”.