Cilat janë problemet në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit?
Rishikimi Funksional i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është njëra prej iniciativave më të mëdha për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Kjo u konstatua edhe në Raportin e Progresit për vitin 2020, ku Rishikimi u konsiderua si bazë e shëndoshë për reformim të sistemit gjyqësor. Procesi rezultoi me një strategji dhe plan të…
Lajme
Rishikimi Funksional i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është njëra prej iniciativave më të mëdha për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Kjo u konstatua edhe në Raportin e Progresit për vitin 2020, ku Rishikimi u konsiderua si bazë e shëndoshë për reformim të sistemit gjyqësor.
Procesi rezultoi me një strategji dhe plan të veprimit për sundimin e ligjit, dokumente të cilat u miratuan nga Qeveria e Kosovës, më 11 gusht të vitit 2021. Në këto dokumente u listuan objektivat dhe aktivitetet që duhej të zbatoheshin nga institucionet përkatëse.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, me mbështetjen e National Endoëment for Democracy, ka monitoruar Planin e Veprimit 2021-2023, ku ka publikuar dy raporte, gjetjet e të cilave janë diskutuar në dy tryeza me të pranishëm nga Ministria e Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial dhe institucione të tjera.
Në raportin e parë, IKD gjeti se janë ndërmarrë veprime në kundërshtim me vetë qëllimet e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe raportim të pasaktë mbi zbatueshmërinë e aktiviteteve të listuara në Planin e Veprimit.
Qeveria nuk respektoi vetë gjetjet e rishikimit funksional dhe strategjisë me rastin e miratimit të Projektligjit që ka të bëjë me reformën në KPK, si një nga reformat më të rëndësishme.
Miratimi i Strategjisë synonte të eliminonte cenimin kushtetues të së drejtës për qasje në Gjykatë ndaj vendimeve prokuroriale, një problematikë e evidentuar.
Megjithatë, gjatë miratimit të Kodit të ri të Procedurës Penale, Qeveria dhe Kuvendi zgjodhën një model ligjor që, sipas strategjisë, nuk garantonte këtë qasje, duke injoruar rekomandimet e rishikimit dhe strategjisë.
IKD gjeti edhe probleme të tjera të zbatimit të kësaj strategjie, si transferimi dhe avancimi i prokurorëve, buxheti për Akademinë e Drejtësisë, “fëmijët e adaptuar dhe prindërit adaptues” të deklaruesve të pasurisë, Task Forca kundër korrupsion, deklarimet publike të Qeverisë kundër sistemit të drejtësisë, etj.
IKD gjeti se raportimi lidhur me zbatimin e aktiviteteve në Planin e Veprimit të strategjisë shumë herë nuk kanë qenë të sakta. Kjo pasi u evidentuan raste kur aktivitetet e papërmbushura janë evidentuar si të përmbushura në Raportin mbi Zbatimin e Strategjisë.
Në raportin e dytë, IKD identifikoi probleme në raportimin mbi nivelin e zbatimit të Strategjisë për shkak të moszbatimit të aktiviteteve dhe raportimeve të pasakta lidhur me Planin e Veprimit. Problemet kanë vazhduar edhe më tej, ndërsa raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për 2023 vë në pah ritmin e ngadaltë të implementimit.
Raporti i Komitetit Drejtues mbi zbatimin e Strategjisë konstaton edhe mungesën e buxhetit si një sfidë kryesore, duke shpërfaqur mungesën e vullnetit të Qeverisë. Përkundër kësaj, qeveria që miratoi strategjisë dhe planin e veprimit ka përgjegjësinë për përgatitjen dhe miratimin e buxhetit. Ky fakt nënvizon mungesën e angazhimit të saj real për implementimin e strategjisë.
IKD evidentoi përsëritje dhe pasaktësi në raportimet për Planin e Veprimit, ku në vitin 2022, 38 aktivitete mbetën të pazbatuara dhe 71 u raportuan si pjesërisht të zbatuara, por nuk përfunduan as më 2023.
Strategjia tani është jashtë zbatimit pasi Plani i Veprimit skadoi në fund të 2023, ndërsa rishikimi i planifikuar për fillimin e 2024 nuk u realizua deri më 31 mars. Raporti i Progresit 2024 konfirmon vonesën në planin për vitet 2024-2026 dhe thekson nevojën për përmirësim në zbatimin dhe monitorimin e strategjive, duke lënë strategjinë të paimplementuar.
Kjo tregon dështimin për të miratuar një Plan të ri të Veprimit, duke lënë Strategjinë e Sundimit të Ligjit të paimplementuar. /BetimipërDrejtësi