Cilat janë dy datat e mundshme për zgjedhje të parakohshme?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë po shihen si zgjidhja e vetme për ngërçin e shkaktuar në vend, pasi që nga shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet e rregullta ende nuk ka Qeveri. Në lidhje me rrjedhën e situatës, Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se mandatari i ri për kryeministër, pra Glauk Konjufca që është mandatuar…
Lajme
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë po shihen si zgjidhja e vetme për ngërçin e shkaktuar në vend, pasi që nga shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet e rregullta ende nuk ka Qeveri.
Në lidhje me rrjedhën e situatës, Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se mandatari i ri për kryeministër, pra Glauk Konjufca që është mandatuar sot, ka afat deri më 19 nëntor për të paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend.
Ai ka thënë se nëse deri atëherë nuk arrihet votimi dhe nuk i merr 61 vota, Presidentja duhet të shpërndaj Kuvendin menjëherë të nesërmen më 20 nëntor duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.
Cakolli ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve, nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit.
“Nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, dritarja ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve i lë si opsione reale 21 dhe 28 dhjetorin. Teorikisht, të mundshme janë edhe 14 dhjetori – nëse procedura dështon, respektivisht shpërndarja ndodh më herët; apo 4 janari – vetëm në rast se shpallja e datës së zgjedhjeve shtyhet deri në fund të nëntorit, në afatin maksimal 10-ditor që ka Presidentja”, ka shkruar Cakolli.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka mandatuar të propozuarin e dytë nga VV, Glauk Konjufcën për të formuar Qeverinë.
Mandatimi i Konjufcës vjen pasi kryeministri në detyrë dhe kreu i VV-së, Albin Kurti dështoi të marrë 61 vota dhe të formoj Qeverinë ‘Kurti 3’ më 26 tetor, pasi prezantoi kabinetin qeveritar në Kuvendin e Kosovës.
Osmani ka thënë se VV ka arritur ta bind atë se i kanë votat, ndonëse nga partitë e tjera politike, PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk kanë votë as për Konjufcën siç nuk patën për Kurtin.
Krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në vazhdimësi kanë kërkuar nga Osmani t’i shpall zgjedhjet e parakohshme, ndërsa Osmani sot është shprehur optimiste duke deklaruar se pret që partitë të gjejnë një koncensus dhe të formojnë Qeverinë ashtu që të votohet plani i rritjes së BE-së, buxheti dhe disa procese të tjera të rëndësishme. /Lajmi.net/