Çfarë po ndodhë nëpër botë? Tajlanda kryen sulme ajrore ndaj Kamboxhias pas përleshjeve në kufi

Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj Kamboxhias fqinje më 8 dhjetor, tha ushtria e shtetit, teksa të dyja palët kanë këmbyer akuza për shpërthimin e fundit të luftimeve në kufirin e kontestuar që la të vrarë një ushtar tajlandez. Pasi trupat e Kamboxhias hapën zjarr ndaj forcave tajlandeze të hënën në mëngjes në provincën Ubon…

Bota

08/12/2025 09:00

Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj Kamboxhias fqinje më 8 dhjetor, tha ushtria e shtetit, teksa të dyja palët kanë këmbyer akuza për shpërthimin e fundit të luftimeve në kufirin e kontestuar që la të vrarë një ushtar tajlandez.

Pasi trupat e Kamboxhias hapën zjarr ndaj forcave tajlandeze të hënën në mëngjes në provincën Ubon Ratçatani, “ushtria pranoi raportime se ushtarë tajlandezë u sulmuan me armë mbështetëse të zjarrit, duke rezultuar me një ushtar të vrarë dhe katër të plagosur”, tha zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Winthai Suvaree përmes një deklarate.

Winthai shtoi se Tajlanda ka nisur “përdorimin e aeroplanëve për të goditur caqe ushtarake në disa zona” për të shtypur sulmet nga forcat e Kamboxhias.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Kamboxhias, Maly Socheata, tha se forcat tajlandeze nisën një sulm ndaj forcave kamboxhiane në provincat kufitare të Preah Viearit dhe Odar Meançejit mëngjesin e së hënës, duke e akuzuar Tajlandën “se ka shtënë me tanke në tempullin Tamone Thom” dhe në zona afër tempullit Preah Viear.

Ajo tha se Kamboxhia nuk iu kundërpërgjigj këtyre sulmeve.

Met Measpheakdey, zëdhënës në administratën e provincës Odar Meançej, tha se janë raportuar të shtëna në zonat e tempujve Tamone Thom dhe Ta Krabei, duke shtuar se “një numër banorësh që jetojnë pranë kufirit po largohen”.

Ushtria tajlandeze tha se afër 35 mijë persona në Tajlandë janë evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Kamboxhian që nga rinisja e luftimeve.
Ushtria tajlandeze po ashtu akuzoi forcat e Kamboxhias se kanë lëshuar raketa ndaj zonave të banuara me civilë në provincën Buri Ram, duke shtuar se nuk është raportuar për viktima.

Të dyja palët raportuan për përleshje edhe të dielën, teksa ushtria e Tajlandës raportoi për dy ushtarë të plagosur.

Gjatë kësaj vere, përleshjet pesëditore mes Tajlandës dhe Kamboxhias lanë të vrarë 43 persona dhe zhvendosën rreth 300 mijë të tjerë, para se të hynte në fuqi një armëpushim.

Ndërprerja e luftimeve ishte ndërmjetësuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia.

Në muajin tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një deklaratë të përbashkët pasuese mes Tajlandës dhe Kamboxhias, duke promovuar marrëveshje të reja tregtare me këto dy shtete pasi ato u pajtuan që të zgjasnin armëpushimin.

Por, Tajlanda e pezulloi marrëveshjen muajin e kaluar, pas një shpërthimi të dyshuar të një mine tokësore që la të plagosur disa ushtarë.

Më pas, të dyja palët këmbyen akuza për përleshje të reja.

Mosmarrëveshjet mes dy shteteve përqendrohen në një debat shekullor mbi kufijtë e hartuar gjatë sundimit kolonial të Francës në rajon, me të dyja vendet që pretendojnë se u takojnë disa tempuj përgjatë vijës kufitare.