Çfarë fshihet pas premtimeve të Albin Kurtit pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Një praktikë e tillë e paraqitjes publike është e rrallë, por, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje - partisë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit premtimet e tij po i realizon pas përfundimit të zgjedhjeve më shumë sesa gjatë fushatës elektorale.

Lajme

23/02/2021 22:27

Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes ka filluar pas zgjedhjeve që t’i artikulojë premtimet e tij që mendon t’i realizojë gjatë kohës si kryeministër, praktikë kjo, jo e shpeshtë në botën politike, shkruan lajmi.net.

Në opinionin publik një qasje e tillë në situatën aktuale politike të Kosovës është parë si para-përgatitje e liderit të VV-së për zgjedhje të reja pasi i njëjti nuk ka arritur t’i ketë mbi 50 për qind të votave ose 61 deputetë siç kishte pretenduar dhe të udhëheq vet me qeverinë.

Lajmi.net ka kontaktuar me analistë dhe njohës të politikës për të diskutuar çasjen e Kurtit dhe nëse kjo ka të bëjë me ndonjë ide të tillë që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje mund të ketë.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike për lajmi.net është shprehur se kjo nuk është dashur të jetë në këtë formë.

Sipas Burjanit, VV nuk ka program të ri qeverisës dhe programi i Kurtit është i njëjti i vitit 2019. Ai shton se LVV duhet ta publikojë programin dhe të shihet se çfarë do të zbatohet.

“Nuk është dashtë të jetë kështu, Vetëvendosje nuk ka ndonjë program të ri në këtë periudhë, programi i tij është i njëjtë nga viti 2019. Pra Vetëvendosje duhet ta bëjë publik gjithë programin e pastaj të shihet se çfarë do të zbatohet.”, tha Burjani.

Më tutje, Burjani është shprehur se është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës që të dijnë se çfarë do të bëjë Kurti për vetingun në drejtësi, prokurori, polici e arsim dhe çfarë me administratën publike e të tjera probleme.

Pra, rëndësi ka shumë të bëhet publike programi i angazhimit që mëton të sjellë ndryshimin. Për shembull, programi rreth reformës në Universitete Publike, Vettingu në drejtësi, prokurori, polici e arsim. Reforma në administratë publike e kështu me radhë.

Burjani në fund thotë se Kurti duhet të ketë program të saktë, të matshëm për një periudhë kohore prej 4 vjetësh që qytetarët të njihen me projeksionet e tij lidhur me kohën që do të jetë kryeministër.

Por, ndryshe mendon analisti Ramush Tahiri.

Sipas tij, është normale kjo sjellje e Kurtit pasi Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve me një distancë të thellë dhe sipas tij Kurti po sillet si një kryeministër në ardhje.

“Unë e shoh normale sepse LVV është fituese e këtyre zgjedhjeve dhe që më herët tani dihet se Albin Kurti do të bëhet kryeministër do të thotë, fitore e thellë, votat janë dhe Albin Kurti po sillet si kryeministër në ardhje.”, tha Tahiri.

Ai më tutje shprehet se edhe takimet edhe pyetjet që i drejtohen Kurtit janë të formatit që i drejtohen një kryeministri në ardhje.

“Edhe pyetjet po i drejtohen ashtu, edhe takimet i ka të tilla dhe pak a shumë po e shpreh vizionin e tij për qeverisjen që do ta ketë në kohën që zgjedhet kryeministër. Po flet për platformë, program, çështje konkrete dhe më pak po flet se kush do të jetë ministër e sa ministri e të tjera, por veprimet e tjera duken normale”, tha Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Vjosa Osmanin si pjesë e listës kanë dalë fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe nga ta është kërkuar themelim i shpejtë i institucioneve menjëherë pas certifikimit të rezultateve. /Lajmi.net/