Çështja e vërshimeve | Ymeri: Kosova ka kanalizim atmosferik, por mungon kontrolli i tendereve

Deputetja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime lidhur me masat mbrojtëse ndaj reshjeve atmosferike dhe menaxhimin e infrastrukturës në Kosovë, duke theksuar se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e zgjidhjeve, por te zbatimi dhe kontrolli i tyre. Sipas Ymerit, përveç kanalizimit të ujërave të zeza, në Kosovë…

Lajme

10/01/2026 17:29

Deputetja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime lidhur me masat mbrojtëse ndaj reshjeve atmosferike dhe menaxhimin e infrastrukturës në Kosovë, duke theksuar se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e zgjidhjeve, por te zbatimi dhe kontrolli i tyre.

Sipas Ymerit, përveç kanalizimit të ujërave të zeza, në Kosovë ekziston edhe kanalizimi atmosferik, i cili ka për qëllim përgatitjen dhe sanimin e tokës për reshjet e shiut. Ajo thekson se për këto shërbime janë ndarë fonde përmes tenderëve publikë, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, deputetja e LDK-së vlerëson se dështimi vjen nga mungesa e kontrollit të kontratave dhe punimeve të kryera, duke theksuar se mbikëqyrja shpesh mbetet vetëm në nivelin e menaxherit të kontratës.

“Problemi është te mos kontrollimi i tendereve dhe kontratave përtej menaxherit të kontratës, i cili mund të dështojë, të jetë i korruptuar ose të mos ketë kapacitet profesional për mbikëqyrje,” ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë:

Çfarë masa mbrojtëse ka në Kosovë për të reshura?
Ndër tjerash ekzistojnë edhe tenderet me shërbime rreth kanalizimit atmosferik.
Pra, nuk ka vetëm kanalizim për ujërat e zeza por edhe kanalizim atmosferik që në terma të thjeshtë, sanon, përgatit tokën edhe për të reshura atmosferike.
Problemi është te mos kontrollimi i tendereve/kontratave përtej menaxherit të kontratës e që nëse dështon ose mund të jetë i/e korruptuar ose edhe nuk din me kontrollu.
#Zgjidhja është auditimi/kontrollimi strikt i tendereve ose punimeve të kryera nga njerëz profesionistë, jo të lidhur me institucionin që e jep tenderin./lajmi.net/