Censurë Alla Turka

21:00 | 16 Dhjetor 2013

Les Exploits d'un Jeune Don Juan

Përkthimi dhe botimi i një romani erotik të Guillaume Apollinaire, shkruar para 100 viteve, sivjet mund t’i kushtojë dy turqve me burgosje 10 vjeçare. Akuza është e rëndë dhe e veçantë – prishje e moralit publik.

Përkthyesi dhe botuesi turk i veprës Les Exploits d’un Jeune Don Juan (Aventurat pushtuese të Don Juan’it të ri), të shkrimtarit dhe poetit francez Guillaume Apollinaire (mikut të Faik Konicës), janë akuzuar nga Gjykata Supreme në Stamboll për “prishjen e moralit publik”.

Në fakt, ende ka dilema nëse Apollinaire është vërtet autori i kësaj vepre 100 vjeçare, e cila ka të bëjë me zgjimin seksual të Roger’it, fiksimi i të cilit me njohuritë për sensualen e shndërron atë në objekt epshor për një grup të madh të grave.

Kopertinë vetëshpjeguese.

 

Në vitin 1986, në koproduksion franko-italian është xhiruar edhe filmi i bazuar në këtë vepër, titulli alternativ L’iniziazione, me aktoren Serena Grandi në rolin kryesor.

Përkthyer nga Ismail Yerguz, për shtëpinë botuese Sel Yayincilik (pronë e Irfan Sanci), botimi turk doli në treg në janar të vitit 2009.

Ismail Yerguz dhe Irfan Sanci: Arkadaslar të mirë, për botim të vështirë.

 

Atë vit prokuroria lokale bëri ankesë, por ajo u hodh poshtë kur akademikët dhanë vlerësimin se Les Exploits d’un Jeune Don Juan duhet të konsiderohet vepër e mirëfilltë letrare.

Mirëpo, sivjet, Gjykata Supreme e Turqisë e anuloi vendimin e vitit 2009, dhe konstatoi se vepra “nuk ka asnjë vlerë letrare – artistike”, por është e mbushur me “fjali vulgare që synojnë t’i provokojnë dëshirat seksuale duke paraqitur marrëdhënie seksuale devijante, lesbike, të panatyrshme, bile edhe kafshërore – e gjithë kjo me anë të shfrytëzimit të fëmijëve dhe gjuhës së ndytë”.

Shoqatat kryesore të botuesve dhe përkthyesve në Francë kanë shkruar një peticion në përkrahje të botimit.

Nëse shpallen fajtorë, përkthyesi dhe botuesi mund të dënohen deri në 10 vjet burg.

Yazik.

A.M.

Traileri i filmit Les Exploits d’un Jeune Don Juan / L’iniziazione