“Çdo i dyti po mson gjermanisht” | Mjekët e rinj i reagojnë Kurtit për pretendimin e kthimit të 171 profesionistëve: Nuk kemi nevojë për deklarata që e mohojnë realitetin
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti gjatë hapjes së edicionit të katërt të “Swiss Medical School” për kthimin e pretenduar të 171 mjekëve nga diaspora gjatë vitit 2025 ka nxitur reagime të ashpra nga radhët e profesionistëve të rinj shëndetësorë në vend. Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë e kanë cilësuar këtë pretendim si të shkëputur nga…
Lajme
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti gjatë hapjes së edicionit të katërt të “Swiss Medical School” për kthimin e pretenduar të 171 mjekëve nga diaspora gjatë vitit 2025 ka nxitur reagime të ashpra nga radhët e profesionistëve të rinj shëndetësorë në vend.
Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë e kanë cilësuar këtë pretendim si të shkëputur nga realiteti i përditshëm me të cilin përballen mjekët e rinj në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Besfort Racaj, përmes një reagimi publik ka sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Kurti duke kërkuar argumente zyrtare për shifrat e prezantuara.
Racaj ka bërë të ditur se institucionalisht u ishte dhënë afat krerëve të Qeverisë deri më 6 nëntor për një takim ku do të trajtoheshin kërkesat e tyre, mirëpo Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe ai i Financave kishin zgjedhur heshtjen.
Sipas tij, ftesa e vetme kishte ardhur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por vetëm pasi tashmë ishte shpallur ai që e quajti “konkurs i imponimit”.
Racaj kritikon këtë konkurs se nuk reflekton nevojat reale të sistemit shëndetësor dhe i detyron mjekët e rinj të zgjedhin mes specializimeve të imponuara, pritjes pa siguri ose përgatitjes së dokumentacionit për t’u larguar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.
Për t’iu kundërvënë deklaratave zyrtare për “kthim të trurit”, përfaqësuesi i studentëve ka rikujtuar statistikat alarmuese të largimit të profesionistëve.
Ai ka theksuar se vetëm gjatë periudhës 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda e Mjekëve të Kosovës me qëllim punësimin jashtë vendit.
“Pikërisht sot, Kryeministri që hezitoi të na priste në takim, u paraqit papritur para qindra mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë. Jo për të na treguar se çfarë po bën Qeveria për kërkesat tona, por për të deklaruar se me qeverisjen e tyre truri po ‘KTHEHET’ në Kosovë. Kryeministër, duket se keni zgjedhur publikun e gabuar për t’i hedhur hi syve! Në atë sallë, thuajse çdo i dyti ka nisur ose planifikon të regjistrohet në kursin e gjuhës gjermane,” është shprehur Racaj.
Duke e përmbledhur reagimin me pyetjen e drejtpërdrejtë “Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, Racaj ka paralajmëruar se mjekët e rinj nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për kushte dinjitoze profesionale.
Përfaqësuesit e mjekëve të rinj kanë njoftuar se më 13 nëntor do të paraqiten pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar me ngulm përmbushjen e kërkesave të tyre, duke nëvizuar se dinjiteti i profesionistëve shëndetësorë është i panegociueshëm./lajmi.net/