ZNAM kërcënon me dalje nga Qeveria e RMV nëse provimi i jurisprudencës zhvillohet edhe në shqip – VLEN nuk e thotë asnjë fjalë!

Debati për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut po shkakton përplasje brenda koalicionit qeverisës. Lëvizja ZNAM, pjesë e Qeverisë, ka paralajmëruar se mund të largohet nga koalicioni nëse provimi lejohet të mbahet edhe në shqip, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e ka kritikuar këtë qëndrim. Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski,…

Lajme

07/11/2026 21:33

Debati për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut po shkakton përplasje brenda koalicionit qeverisës. Lëvizja ZNAM, pjesë e Qeverisë, ka paralajmëruar se mund të largohet nga koalicioni nëse provimi lejohet të mbahet edhe në shqip, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e ka kritikuar këtë qëndrim.

Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar se partia e tij nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të organizohet në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ai ka paralajmëruar se në rast të një vendimi të kundërt nga Qeveria, ZNAM është e gatshme të largohet nga koalicioni qeverisës, transmeton lajmi.net.

Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e cila vlerëson se paralajmërimet e Dimitrievskit kanë prapavijë politike. Sipas kësaj partie, ai po e përdor çështjen e provimit të jurisprudencës për qëllime elektorale, pasi, siç pretendojnë, pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në takimin e fundit me studentët ka propozuar që 12 provime të jurisprudencës të mbahen në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase.

Shasivari ka bërë të ditur gjithashtu se institucionet planifikojnë të kërkojnë një mendim nga Komisioni i Venecias për këtë çështje.

“Parashikojmë të kërkojmë edhe një mendim brenda një afati të shkurtër nga Komisioni i Venecias, si organi më prestigjioz këshillëdhënës evropian për çështje kushtetuese dhe juridike”, ka deklaruar Shasivari.

Për këtë çështje ka folur edhe profesori universitar Bashkim Selmani, i cili vlerëson se autoritetet maqedonase nuk po tregojnë gatishmëri për kompromis lidhur me mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.

Ai ka propozuar që fakultetet juridike të marrin përsipër organizimin e provimit në shqip, përmes një trupi të përbashkët pedagogësh.

“Do të ishte ideja pozitive dhe zgjidhëse për momentin që fakultetet e drejtësisë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Selmani.

Ai u ka bërë thirrje tri fakulteteve juridike që të bashkëpunojnë dhe të caktojnë një grup pedagogësh për realizimin e provimit në gjuhën shqipe.

Çështja pritet të mbetet në fokus të debatit politik, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të kundërta brenda koalicionit qeverisës. Edhe qëndrimi i VLEN-it lidhur me propozimin e ministrit dhe kundërshtimin e ZNAM-it mbetet me rëndësi për ecurinë e kësaj çështjeje./lajmi.net/