Caktohet seanca e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj 21 të pandehurve të akuzuar krime lufte kundër popullsisë civile

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.48/25, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.59/2022 të datës 15.08.2025, kundër të pandehurve: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq,…

Lajme

21/09/2026 14:17

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.48/25, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.59/2022 të datës 15.08.2025, kundër të pandehurve: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsmаn Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milos Gjoshаn, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovаçеviq – për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e inkriminuar tani sipas nenit 144,145,146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë te pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.

Njoftohen te pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, Kati I, salla nr.16, me datë 28.09.2026, nga ora 09:30 nga Kryetarja e Trupit Gjykues Medie Bytyqi. Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.