Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit në rastin “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku policia kishte sekuestruar 136 kilogramë substancë të dyshuar narkotike, marihuanë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit A.N., shtetas i Maqedonisë së Veriut, si dhe T.E. dhe A.C., shtetas të Kosovës,…

Lajme

28/11/2026 18:10

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku policia kishte sekuestruar 136 kilogramë substancë të dyshuar narkotike, marihuanë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit A.N., shtetas i Maqedonisë së Veriut, si dhe T.E. dhe A.C., shtetas të Kosovës, dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, transmeton lajmi.net.

Sipas kërkesës për paraburgim, të dyshuarit dyshohet se kishin vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat për transportimin e substancës narkotike.

A.N. dhe A.C. dyshohet se po udhëtonin me një automjet të tipit “VW Tiguan”, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën përpara automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej droga. Ndërkaq, T.E. dyshohet se ishte drejtues i automjetit “Audi A6”, ndërsa një person tjetër, i identifikuar si J.B., dyshohet se kishte rolin e vëzhgimit të rrugës.

Prokuroria bën të ditur se, pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të policisë për t’i ndaluar, T.E. nuk iu bind urdhrave policorë, por vazhdoi ikjen me shpejtësi të madhe.

Gjatë ikjes, ai dyshohet se shkaktoi një aksident trafiku, ku mbetën të lënduar dy persona. Më pas, në afërsi të lokalit “Milenium”, automjeti humbi kontrollin, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, T.E. u ndalua dhe u arrestua.

Gjatë kontrollit në automjetin “Audi A6” u gjet substanca e dyshuar narkotike, ndërsa sipas Prokurorisë, për tre të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar për përfshirje në trafikimin e narkotikëve.

Ndaj T.E. rëndon edhe dyshimi për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, për shkak të ikjes nga policia dhe aksidentit të shkaktuar.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, ndërsa për rastin po zhvillohen procedurat përkatëse ligjore./lajmi.net/