Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit në rastin “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehurit në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë. Masa e paraburgimit është caktuar ndaj A.N., T.E. dhe A.C., të cilët dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar…

Lajme

28/11/2026 18:28

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehurit në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë.

Masa e paraburgimit është caktuar ndaj A.N., T.E. dhe A.C., të cilët dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, transmeton lajmi.net.

Ndërkaq, ndaj T.E. rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dyshohet se më 27 nëntor 2026, të pandehurit kishin vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, me qëllim të transportimit të marihuanës nga Kosova drejt Maqedonisë së Veriut.

Në këtë skemë, J.B., i cili dyshohet se drejtonte një veturë “VW Arteon”, kishte rolin e vëzhgimit të terrenit dhe rrugës, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera dhe duke paralajmëruar për pengesa apo kontrolle të mundshme policore.

Ndërkaq, A.N. dhe A.C. dyshohet se udhëtonin me një veturë “VW Tiguan”, duke përcjellë automjetin “Audi A6”, të cilin e drejtonte T.E. dhe në të cilin transportohej substanca narkotike.

Sipas dyshimeve të paraqitura në gjykatë, marihuana ishte siguruar paraprakisht nga personi me inicialet A.Sh., ndërsa destinacioni i saj ishte fillimisht Hani i Elezit dhe më pas Maqedonia e Veriut.

Ngjarja kishte marrë një kthesë tjetër rreth orës 09:50, kur policia kishte identifikuar automjetet e dyshuara dhe kishte tentuar t’i ndalte në autostradë.

Në atë moment, drejtuesi i “VW Tiguan” kishte ndaluar, ndërsa T.E., që drejtonte “Audi A6”, nuk iu ishte bindur urdhrave policorë dhe kishte vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe.

Gjatë ndjekjes policore, në afërsi të Urës së Madhe në Ferizaj, ai dyshohet se kishte shkaktuar aksident trafiku, ku ishin lënduar dy qytetarë që po udhëtonin me automjetet e tyre.

Pavarësisht kësaj, T.E. kishte vazhduar ikjen në drejtim të Kaçanikut, por në afërsi të lokalitetit “M”, kishte humbur kontrollin mbi automjetin dhe kishte dalë jashtë rrugës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, Fitore Daci, e ka vlerësuar të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të pandehurit.

Gjykata ka bërë të ditur se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./lajmi.net/