Cakolli sjell rastin e Italisë për votimin e Presidentes: Procedura nisi brenda afatit dhe vazhdoi pa ndërprerje
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shkruar lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila nisi në minutat e fundit të 6 tetorit dhe përfundoi pas mesnatës. Cakolli ka sjellë si shembull një rast nga Italia, ku Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se kalimi i një afati për…
Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shkruar lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila nisi në minutat e fundit të 6 tetorit dhe përfundoi pas mesnatës.
Cakolli ka sjellë si shembull një rast nga Italia, ku Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se kalimi i një afati për disa minuta nuk e bënte domosdoshmërisht të pavlefshëm një vendim, në rast se procedura kishte nisur brenda afatit dhe kishte vazhduar pa ndërprerje.
Sipas tij, në vitin 1995, Këshilli Rajonal i Venetos kishte miratuar një ligj 27 minuta pas skadimit të afatit ligjor për ushtrimin e kompetencave. Qeveria italiane e kishte kundërshtuar ligjin, me arsyetimin se Këshilli kishte vepruar jashtë afatit.
Megjithatë, Cakolli thekson se Gjykata Kushtetuese e Italisë, përmes vendimit nr. 515/1995, e kishte rrëzuar këtë qëndrim, duke pranuar se procedura mund të përfundonte edhe pas skadimit të afatit nëse punimet kishin filluar në kohë dhe seanca kishte vazhduar pa ndërprerje.
“Gjykata u mbështet te vazhdimësia funksionale e institucionit, duke lejuar përfundimin e një procedure tashmë në zhvillim”, ka shkruar Cakolli.
Duke e ndërlidhur këtë rast me Kosovën, Cakolli thotë se duhet marrë parasysh fakti që raundi i votimit për Presidenten kishte nisur para mesnatës dhe kishte vazhduar pa ndërprerje.
Sipas tij, ekziston argumenti se bëhet fjalë për një akt parlamentar të vetëm, i cili kishte nisur brenda afatit dhe ishte përfunduar disa minuta më vonë.
“Votat individuale shërbejnë për formimin e një vendimi të përbashkët të Kuvendit”, ka shkruar ai.
Cakolli e lidh këtë argument edhe me mënyrën e votimit të fshehtë, ku deputetët thirren veç e veç. Sipas tij, ndërprerja e procesit në mesnatë do të krijonte një problem tjetër kushtetues, pasi deputetët që ishin thirrur më herët do të mund të votonin, ndërsa ata që ende prisnin radhën nuk do ta ushtronin të njëjtën të drejtë në atë raund.
Megjithatë, Cakolli ka theksuar se situata në Kosovë dallon nga rasti i Italisë dhe se çështja mbetet më e diskutueshme për shkak të dispozitave kushtetuese që parashikojnë shpërndarjen e Kuvendit në rast se Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit.
Ai ka shtuar se edhe kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e procedurës deri më 6 tetor është një element që duhet marrë parasysh.
“Sidoqoftë, argumenti duhet të mbështetet te natyra e raundit të pandërprerë dhe te mundësia juridike për përfundimin e tij”, ka përfunduar Cakolli. /Lajmi.net/