Cakolli: Propozimi i dikujt që s’ka pasur pozitë ministrore është hap pozitiv
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend sot, ku deputetët sërish dështuan të zgjedhin kryetarin e këtij institucioni. Sipas tij, fakti që LVV propozoi një deputet që nuk ka pasur pozitë ministrore është një hap pozitiv dhe një afrim drejt zgjidhjes së ngërçit institucional – “të paktën nominalisht”.…

Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend sot, ku deputetët sërish dështuan të zgjedhin kryetarin e këtij institucioni.
Sipas tij, fakti që LVV propozoi një deputet që nuk ka pasur pozitë ministrore është një hap pozitiv dhe një afrim drejt zgjidhjes së ngërçit institucional – “të paktën nominalisht”.
Megjithatë, Cakolli thekson se ky veprim nuk i përgjigjet plotësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkon konsultim konstruktiv me grupet tjera parlamentare.
“Ndryshimi i kandidatit nga LVV dhe propozimi i dikujt që s’ka pasur pozitë ministrore është hap pozitiv dhe afrim drejt zgjidhjes – të paktën nominalisht.
Mbase nuk i përgjigjet plotësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare, por gjithsesi shkon në drejtimin e duhur.” – shkroi Cakolli.
Në anën tjetër, ai kritikoi Partinë Demokratike të Kosovës dhe disa deputetë të tjerë për mospërputhjen e qëndrimeve të tyre.
“Në anën tjetër, PDK-ja dhe disa deputetë të tjerë nuk iu qëndruan pas deklarimeve të tyre. Edhe pse vetë kishin vendosur si kriter mbështetjen vetëm për kandidatë që nuk kanë qenë ministra, sot nuk votuan për një të tillë. Nuk ka rëndësi se si e arsyetojnë – mospërputhja me qëndrimet e mëhershme është fakt.
Në këtë situatë mosbesimi e loje nervash, zgjidhja nuk është më aq e largët. Megjithatë, ajo varet nga vullneti i LVV-së për konsultim real dhe konstruktiv dhe nga gatishmëria e grupeve tjera për t’iu qëndruar pas premtimeve të tyre publike.” – shtoi Cakolli.