Buxheti 2027 me vonesë, Kurti paralajmëron miratimin të hënën: Mbi 1 miliard euro për investime kapitale

Ditën e sotme, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur një mbledhje. Gjatë saj, është deklaruar kryetari i kësaj partie Albin Kurti. Ky i fundit, është deklaruar për çështje të ndryshme, ku ka ndarë fjalimin e tij edhe përmes një postimi në Facebook. Kurti, ka folur edhe për buxhetin vendit, duke bërë të ditur…

Lajme

31/10/2026 23:11

Ditën e sotme, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur një mbledhje. Gjatë saj, është deklaruar kryetari i kësaj partie Albin Kurti.

Ky i fundit, është deklaruar për çështje të ndryshme, ku ka ndarë fjalimin e tij edhe përmes një postimi në Facebook.

Kurti, ka folur edhe për buxhetin vendit, duke bërë të ditur se të hënën, në mbledhjen e qeverisë, do të miratohet projektligji për buxhetin e vitit 2027. Për këtë, Kurti ka thënë se buxheti do të jetë i ‘’projekteve kapitale, i përshpejtimit të rritjes ekonomike, dhe i rritjes së cilësisë së vendeve të punës.’’.

‘’Ndërkaq, të hënën, në mbledhjen e radhës të Qeverisë, pra pasnesër, do të miratojmë projektligjin për buxhetin e vitit 2027. Do të jetë buxhet i projekteve kapitale, i përshpejtimit të rritjes ekonomike, dhe i rritjes së cilësisë së vendeve të punës. Pra, jo vetëm më shumë vende pune, por vende pune me paga më të mira. Ky është buxhet i rrugëve, hekurudhave dhe i digave. Për herë të parë buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliardë euro. Do të jetë buxhet edhe për komunat me gjithsej 908 milionë euro. Kjo përbën një rritje prej 2/3 krahasur me buxhetin që e kishim trashëguar. Dhe kjo rritje vjen falë rritjes së vazhdueshme të mbështetjes nga grantet qeveritare’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.

Për çështjen e Buxhetit, ka shkruar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit, ka kritikuar VV-në dhe Kurtin lidhur me këtë çështje.

Deputetja e LDK’së, ka deklaruar se sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Qeveria është e obliguar që Projektligjin për Buxhetin t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor, gjë që nuk është bërë, ka theksuar ajo.

‘’Por, meqë tashmë veç kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ”kaloj” filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor do t’i dërgohet Kuvendit. Ligji e përcakton rendin e institucioneve, por për Albin Kurtin partia s’pyet për ligj e afate ligjore, partia e përcakton rendin e gjerave’’, ka shkruar mes tjerash Bajrami.