Britania: Ndryshimet në Ligjin për Specialen mund të shkelin marrëveshjen ndërkombëtare
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se hyrja e tyre në fuqi do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Në një përgjigje për Klankosova.tv, kjo ambasadë ka theksuar se mbështetë respektimin e mandatit të…
Lajme
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se hyrja e tyre në fuqi do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, kjo ambasadë ka theksuar se mbështetë respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të përcaktuar në vitin 2015, si dhe përdorimin e procedurave të parapara për ankesat kundër aktgjykimeve të shkallës së parë.
“Vërejmë dhe ndajmë shqetësimet e Bashkimit Evropian se ndryshimi ligjor, nëse do të hynte në fuqi, do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Klankosova.tv.
Mbretëria e Bashkuar ka rikujtuar se e kishte mirëpritur themelimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
Sipas Ambasadës, themelimi i kësaj gjykate pasqyroi lidershipin dhe guximin politik të udhëheqësve të Kosovës në atë kohë, si dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kjo ambasadë ka ritheksuar mbështetjen e vendit të saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ne mbështesim shfrytëzimin e plotë të procedurave të përcaktuara në mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të themeluara në vitin 2015, për çdo ankesë kundër aktgjykimeve të shkallës së parë”, thuhet në përgjigje.
Ambasada ka vlerësuar se respektimi i mandatit të Speciales është mënyra më e mirë që Kosova të dëshmojë pjekurinë e saj demokratike dhe përkushtimin ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme.
“Ne besojmë se respektimi i mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të përcaktuar në vitin 2015, është mënyra më e mirë që Kosova të dëshmojë pjekurinë e saj demokratike dhe përkushtimin ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme për të gjitha viktimat, pavarësisht se kush është kryerësi apo cili është rezultati i procesit gjyqësor”, thuhet më tej në përgjigje.
Në fund, Mbretëria e Bashkuar ka theksuar se mbetet krenare për rolin e saj, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë më 1999, si dhe ka ritheksuar mbështetjen për Kosovën e pavarur dhe orientimin e saj euroatlantik.
Sipas Ambasadës britanike, vendimi i Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015 mbetet shembull për vendet e tjera të rajonit dhe një kontribut i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.