Bogujevci i bie pishman për deklaratën rreth Vjosa Osmanit, i akuzon portalet se ia ndryshuan fjalët
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci duket se është penduar për një deklaratë të sajën rreth Vjosa Osmanit mbrëmë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Lajme
Ajo gjatë intervistës së mbrëmshme e pyetur nëse qytetarët do ta vlerësonin Lëvizjen Vetëvendosje me 50,28 për qind edhe po të mos ishte lista e Vjosa Osmanit në garë zgjedhore u shpreh se rezultati do të ishte i njëjtë, shkruan lajmi.net.
“Mendoj që është e rëndësishme të përmendet angazhimi i zonjës Osmani dhe qëndrimi i saj sa i përket temave shumë të rëndësishme dhe që janë në interes të vendit dhe kjo mendoj që ka qenë një rrjedhojë e arsyeshme për të arritur deri këtu ku jemi dhe bashkëpunimin që e kemi së bashku me zonjën Osmani. Mendoj që rezultati do të ishte i njëjtë sido që të jetë, mirëpo është mirë që e kemi pasur edhe listën e zonjës Osmani dhe kemi pasur gjithashtu që mendoj se është e rëndësishme të përmendet edhe pjesën e zonjës Kusari”, ka thënë mbrëmë Bogujevci.
Shikoni nga minuta 19:30 pyetjen e gazetares dhe nga minuta 19:51 përgjigjen e Saranda Bogujevcit:
Por, gjatë ditës së sotme ajo nëpërmjet një reagimi në Facebook ka akuzuar portalet duke thënë se po bëjnë fushatë të vrazhdë ndaj Osmanit.
“Nga intervista ime mbrëmë në emisionin Infomagazine, disa portale paskan nxjejrre tituj e lajme që kinse unë paskam thënë së ne do t’i fitonim zgjedhjejt edhe pa Vjosa Osmanin. Kjo nuk është e vertetë, e nuk ka të bëjë as me interpretimin e asaj që unë kam thënë. Kjo është thjeshtë një fushatë e vrazhdë që po vazhdon t’i bëhet znj. Osmanit”, ka shkruar ajo.
“Ne mund të themi çfarë të duam, por asgje nuk nuk mund të shkoj përtej fjalës së popullit. E sa i përket znj. Osmani, populli tashme ka folur dhe atë bindshëm në zgjedhjejt e 14 shkurtit”, ka shkruar ajo. /Lajmi.net/