Bllokun po e ndan “kulaçi”
Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të mos e lëshojë postin e kryeministrit, pas heqjes dorë nga kryeparlamentari, që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon PDK-së.
Lajme
Por AAK-ja vazhdon të insistojë se i janë besnikë marrëveshjes së 10 qershorit për ndarjen e kulaçit, shkruan “Koha Ditore”.
Atë kohë LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma ishin marrë vesh që i nominuari i tyre për kryeministër të jetë Ramush Haradinaj, Mustafës t’i takojë pozita e kryetarit të Kuvendit kurse Nismës për Kosovën- zëvendës/kryeministri.
Por ndryshimi i rrethanave dhe vendimi të Gjykatës Kushtetuese për postin e kryeparlamentarit ka ndryshuar edhe ambiciet e LDK-së, e cila nuk dëshiron të mbetet pa një post kryesor në formulën e ardhshme qeverisëse.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë për “Koha Ditore” se bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit të madh po vazhdojnë, por deri më tani nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
“Megjithtatë shpresojmë që kjo marrëveshje të arrihet në mënyrë që kauza e cila na ka bërë bashkë, pra dërgimi i PDK-së në opozitë të jetësohet”.
“Përfaqësimi i partive politikë në koalicionin qeverisës duhet të ketë parasysh, ndër të tjera, edhe fuqinë politike dhe të votës që secila partie e ka”, ka deklaruar Osmani.