Blerta i dorëzon gurët

Gurët që janë gjetur brenda zyrës së Blerta Zeqirit, mund të jenë trashëgimi kulturore. Për këtë arsye Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka thirrur organet përkatëse që t’i marrin gurët dhe t'i dërgojnë në muze.

Lajme

20/01/2014 11:31

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunë e Prishtinës Blera Zeqiri, tha sot se në zyrën e saj ka gjetur disa gurë, që dyshohet të jenë të zonës ku është zbuluar kohë më parë çezma e vjetër, në shesh, pranë Teatrit Kombëtar.

Zeqiri tha se ajo ka kontaktuar me përfaqësuesit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, që të vijnë, t’i evidentojnë dhe t’i marrin këta gurë.

“Këta gurë assesi nuk do duhej të ishin brenda në këtë zyrë, sepse nuk janë pronë e askujt dhe e kanë vendin në muze. Këta gurë ishin të vendosur nën raftin e zyrës”.

“E kam kontaktuar Qendrën Rajonale për Trashëgiminë Kulturore dhe kam kërkuar nga ta që të vijnë t’i evidentojnë dhe t’i marrin. Po ashtu, sot presim edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për t’i verifikuar nëse këta gurë janë të njëjtit që po mendojmë ne”.

Blerta Zeqiri më tej shtoi se sipas ligjit, cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht marrëdhënieve pronësore me të, dënohet ose sanksionohet në bazë të Kodit Penal të Kosovës.