Blerim Shala: Nuk jam më pjesë e AAK-së

Blerim Shala ka zgjedhur që të vazhdojë të jetë pjesë e dialogut politik Kosovë-Serbi. Ai ka vendosur që të mos jetë më pjesë e AAK-së, pasi partia e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj, në këtë mandat ka vendosur që të mos e mbështesë qeverinë në dialogun me Serbinë.

Lajme

06/02/2015 18:06

Blerim Shala, deputet në Kuvendin e Kosovës, ka vendosur që të ndahet me AAK-në dhe të vazhdojë punën si Koordinator Politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Shala në një deklaratë për lajmi.net, ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas një bisede miqësore me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. 

“Kam vendosur të vazhdoj detyrën që kam pasë në vitet 2012-2014, si Koordinator Politik, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me përkrahjen e fuqishme të SHBA-së”. 

“Këtë vendim e kam marrë pas një bisede miqësore dhe të sinqertë me Ramush Haradinajn, Kryetarin e AAK-së”.   

“Pasi që AAK vlerëson që në këtë mandat nuk mund ta marrë përgjegjësinë politike të këtyre bisedimeve, në pajtim të plotë me Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, kam vendosë që të mos jam më pjesë e AAK-së”.

“Shfrytëzoj rastin ta falënderojë Ramush Haradinajn për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi pasë prej se i jam bashkuar AAK-së”, ka thënë Shala në një deklaratë për lajmi.net.

Në anën tjetër edhe AAK e ka konfirmuar ndarjen me ish nënkryetarin e partisë.

AAK në një deklaratë për media thotë se e ka liruar nga të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet që ka pasur deri më tani tashmë ish-nënkryetari i parë i kësaj partie Blerim Shala.

Arsye për këtë vendim thuhet të jetë vendimi i Shalës për t’u bërë pjesë e ekipit të negociatave në Bruksel.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e njoftuar me vendimin e z. Blerim Shala për të qenë pjesë e ekipit për negociata në Bruksel”, thuhet në njoftimin për media të AAK-së.

“Aleanca e liron z. Shala nga të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet në parti”, përfundon ky njoftim. (lajmi.net)