Bizantizmi politik përballë Urës mbi Ibër
Nga Teuta Krasniqi Në kuptimin figurativ nocioni URË paraqet lidhje që vendoset ndërmjet dy palëve a dy anëve, për të arritur diçka, me interes të dyanshëm dhe në të mirë të përbashkët. Në mitologjinë shqiptare simbolika e urës, si ngrehinë fizike prej guri, druri a betoni, është kaq e njohur dhe e përdorur gjithandej literaturës…
Opinion
Nga Teuta Krasniqi
Në kuptimin figurativ nocioni URË paraqet lidhje që vendoset ndërmjet dy palëve a dy anëve, për të arritur diçka, me interes të dyanshëm dhe në të mirë të përbashkët. Në mitologjinë shqiptare simbolika e urës, si ngrehinë fizike prej guri, druri a betoni, është kaq e njohur dhe e përdorur gjithandej literaturës pothuajse në të gjitha etapat e zhvillimit të letërsisë shqipe, por figurativisht edhe në fjalorin politik.
Por këtu nuk është qëllimi të japim shpjegime mbi etimologjinë e fjalëve shqipe bazike, që mësohen në nivelin parashkollor dhe as të ligjërojmë mbi këto nocione e as të kthehemi në histori, tek Ura e Eufratit a e Bosforit, te mbretëresha Nitokris e Babilonisë e as te Dari i Madh i Persisë. Por, do të ndalemi tek Ura e Ibrit në Mitrovicë, e kthyer nga serbët në fortifikatë prej mese 25 vjetësh dhe që na serviret si temë diskutimi sa herë politika dëshiron të aktualizojë kauza madhore, të cilat natyrshëm lënë në hije problematika jetike të qytetarëve.
Nuk përbën ndonjë risi për historinë politike tendenca e politikanëve për të sforcuar tonet me slogane nacionaliste a kauza patriotike në periudha të caktuara të zhvillimeve politike, e veçanërisht në prag zgjedhjesh apo në kohë dështimesh në politikat sociale e ekonomike, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Shpërfaqja e emocioneve të masave që prodhohen si pasojë e tonaliteteve të larta patriotike-folklorike, deri në tramaticitet, paraqet një terren të përshtatshëm sidomos për politikanët populistë, të cilët me mjeshtri shfrytëzojnë emocionin e krijuar, duke e kthyer atë në përfitim të përkohshëm politik vetanak, pa përllogaritur dëmet që mund t’i shkaktohen vendit e qytetarëve të tij.
Ditëve e javëve të fundit jemi dëshmitarë të një ngarendjeje të politikanëve tanë, kryesisht pushtetarë, deputetë e ministra, këshilltarë e asistentë, asamblistë e aktivistë, për të pozuar para Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ky turrevrap absurd, deri në banalizim, konsideroj që përveç paraqitjes patetike të këtyre protagonistëve dhe mundësisë për bumerang politik, e dëmton dhe e stërkeq vet kauzën madhore të hapjes së urës dhe qarkullimit të lirë të qytetarëve.
Jemi të vetëdijshëm se problemi me Serbinë vazhdon të mbetet i hapur për kohë të pacaktuar dhe rrjedhimisht zhvillimet në veri të vendit do të jenë edhe për një kohë tema në diskursin politik e medial në vendin tonë. Si të tilla nuk do të arrihet të shmangen, dhe as që do të duhej të ndodhte një gjë e tillë, por ato duhet trajtuar me pjekuri dhe me urtësi shumë më të theksuar.
Raporti i Kosovës me Serbinë apo më mirë të themi i Serbisë me Kosovën apo çështjen shqiptare si të tërë, për t’u kuptuar në tërësinë e tij nuk duhet parë nga dhjetori i vitit të kaluar, por duhet analizuar në kontekst historik shekullor.
Nëse hedhim me kujdes një vrojtim në historinë njëqind e sa vjeçare të këtyre relacioneve, kuptojmë lehtësisht që politika serbe, në raport me shqiptarët, ndryshon mjetet, por asnjëherë qëllimet. Për rrjedhojë politika shqiptare në Kosovë duhet të angazhohet në krijimin e realiteteve dhe afirmimin e tyre, për të fituar më pas njohjen e tyre mbi bazën e të drejtave njerezore, ligjore, kushtetuese, e konventave ndërkombëtare.
Prandaj ky shfrytëzim brutal i zhvillimeve në veri, nga Ura e Ibrit deri në Ujman, paraqet dëshminë më të mirë se politika në Kosovë dhe në përgjithësi në hapësirën shqiptare, vazhdon të udhëhiqet nga prirje bizantine, e stërmbushur me eunukë politikë, pa strategji afagjatë për tema nacionale e madje edhe pa konsensus politik afatshkurtër.