Bislimi: Nga nesër nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, deri më 15 mars fazë informuese

Nga dita e nesërme fillon zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, ka njoftuar zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. Zbatimi do të realizohet fillimisht përmes një faze afirmative, e cila do të zgjasë deri më 15 mars. Sipas Bislimit, gjatë kësaj faze fillestare, vizitorët që hyjnë në Kosovë përmes vendkalimeve…

Lajme

15/01/2026 16:47

Nga dita e nesërme fillon zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, ka njoftuar zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. Zbatimi do të realizohet fillimisht përmes një faze afirmative, e cila do të zgjasë deri më 15 mars.

Sipas Bislimit, gjatë kësaj faze fillestare, vizitorët që hyjnë në Kosovë përmes vendkalimeve kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me ligjet e reja. Kjo periudhë do të shërbejë për informim dhe përgatitje të palëve të prekura nga këto ndryshime ligjore, transmeton lajmi.net.

“Pas datës 15 mars do të fillojë zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që rrjedhin nga Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet”, ka theksuar zëvendëskryeministri.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të avancuar procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor në të gjithë territorin e vendit.

Çka do të thotë zbatimi i këtyre ligjeve? 

Masa e re për trafik prekë pjesëtarët e komunitetit serb që kanë vendbanim në Kosovë sipas sistemit serb, por që ngasin makina me targa të qyteteve të Serbisë, duke përdorur autorizim.

Në këtë autorizim gjenden të dhënat e kartës së identitetit të shoferit, të cilën e lëshojnë organet e Serbisë për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk i njeh.

Raste të tilla ka nëpër mjediset me shumicë serbe si në veri, ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Përveç masave që lidhen me qarkullimin e automjeteve me targa të huaja, Policia e Kosovës njoftoi në shtator edhe për zbatimin e Ligjit për të huajt sa i përket dokumenteve personale, që do të thotë se të gjithë ata që nuk kanë leje qëndrimi në Kosovë do të duhet të aplikojnë për një të tillë.

Autoritetet në Kosovë kanë publikuar një udhëzues që shpjegon procedurën e marrjes së lejes për qëndrim të shkurtër, të përkohshëm ose të përhershëm dhe kushdo që nuk aplikon për një leje të tillë, dëbohet nga shteti./lajmi.net/