Betohen kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e rimorën edhe zyrtarisht pushtetin, duke e bërë betimin. Ceremonia e betimit…

Lajme

05/12/2025 12:44

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e rimorën edhe zyrtarisht pushtetin, duke e bërë betimin.

Ceremonia e betimit të tyre u mbajt në prani të simboleve shtetërore të Kosovës, dhe me raste u panë edhe flamuj të shtetit të Serbisë.

Këto komuna me shumicë serbe u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.

Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do t’i anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të “qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.

Pamje nga lart e Mitrovicës së Veriut, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Ligji për vetëqeverisjen lokale parashikon se për çdo vendim ose akt tjetër të komunës, që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.

Çfarë ka ndryshuar që nga viti 2023?
Menjëherë pas marrjes së detyrës, kryetarët shqiptarë të komunave vendosën flamurin e Kosovës në ndërtesat komunale, që deri atëherë nuk shihej në asnjë institucion në veri.

Të katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa Lista Serbe kishte deklaruar se e gjithë kjo ishte “okupim i veriut”.

Më pas, në bashkëpunim me autoritetet qendrore të Kosovës, u punua edhe për mbylljen e institucioneve lokale të Serbisë, si Organet e Përkohshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, ndërmarrjet publike komunale dhe të tjera.

Gjithashtu, autoritetet lokale morën në pronësi objektet ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “jolegjitime” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan shembjen e ndërtesave të ndërtuara pa leje.

Ndërkohë, në vend të institucioneve serbe u hapën institucione të Kosovës, poste dhe banka, dhe filloi edhe hapja e subjekteve ekonomike në pronësi të shqiptarëve, si supermarkete, restorante të ushqimit të shpejtë, dyqane ëmbëlsirash – veprime që hasën në rezistencën dhe bojkotin e komunitetit lokal serb.

Komuna e Mitrovicës së Veriut në mes të këtij viti nënshkroi gjithashtu një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikon ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, një nismë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Popullsia me shumicë serbe nuk i pranoi kryetarët shqiptarë të komunave në veri, dhe shpërthyen kriza të njëpasnjëshme. Në fund të majit të vitit 2023, kur kryetarët shqiptarë morën pushtetin, ndodhi edhe një përplasje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ku u lënduan më shumë se 100 persona nga të dyja palët.

Tensionet në veri kulmuan me sulmin nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur u vra një polic i Kosovës. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndërsa Prishtina e akuzoi edhe Beogradin për përfshirje, gjë që është mohuar nga Serbia.

Që nga ajo kohë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel politik ka qenë i bllokuar.

Ndërkohë, BE-ja, e cila ndërmjetëson dialogun, në vitin 2023 vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri. Disa nga këto masa filluan të largoheshin gradualisht në maj të këtij viti.