Beteja e akronimeve: Si t’i referohemi Shtetit Islamik?!

Pas prerjes së kokës të alpinistit francez, Herve Gourdel, nga grupi i xhihadistëve algjerianë, të cilët janë të afërt me Shtetin Islamik, qindra myslimanë u mblodhën jashtë Xhamisë së Madhe në Paris për të shprehur qëndrimin e tyre se ata distancohen nga aktet brutale të këtij grupi, që, sipas tyre, edhe për shkak të emrit por dhe ideologjisë që ka, është një fyerje e rëndë për myslimanët kudo në botë, shkruan New York Times.

Bota

03/10/2014 00:55

Disa prej protestuesve mbanin në duar pankarta të tilla si #Jo në emrin tim, një cicërimë mjaft e njohur në Twitter, e cila është kundër Shtetit Islamik.

Nënkryetari i Këshillit të Myslimanëve në Francë, Ahmet Ogras tha se përdorimi i emrit të islamit nga Shteti Islamik rrezikon që të stigmatizojë myslimanët në Francë, i cili është komuniteti më i madh islam në Evropë, transmeton lajmi.net. Ai gjithashtu tha se emri i dhënë ka legjitimitet të pajustifikuar të një grupi që kryen vrasje në emër të islamit.

“Ky nuk është një shtet por është një organizatë terroriste. Unë iu referohem atyre me termin terrorist, sepse ata të tillë janë. Njeriu e quan qenin qen sepse i tillë është. Ne nuk duhet të luajmë me fjalë”, tha ai.

Përderisa po vazhdon beteja ajrore, e udhëhequr nga SHBA-të, mbi terroristët në Siri dhe Irak, një front i ri gjuhësor po shfaqet. Grupet myslimane në Evropë dhe më gjerë ia kanë mësyrë reagimeve kundër Shtetit Islamik përmes protestave dhe medieve sociale. Ata po kërkojnë mënyra të tjera se si t’i referohen këtyre militantëve, të njohur tashmë përmes disa shkurtesave si ISIS, ISIL, IS dhe SIC.

Përderisa edhe kjo luftë semantike është duke u zhvilluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun javën e kaluar i është referuar Shtetit Islamik si “jomyslimanët pa shtet” (UINS) edhe pse disa persona presin që ky akronim, nëse përdoret, do të ketë më shumë kuptim të pushtetit.

Edhe protestuesit në Britani të Madhe, përmes Shoqatës së myslimanëve atje, përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri David Cameron që t’i referohet IS-it si “Shteti jo mysliman” ose UIS. Përdorimi i vazhdueshëm i termit Shteti Islamik do të mund që të radikalizonte më shumë myslimanët e këtij vendi, thanë këta protestues.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius ka njoftuar muajin e kaluar se qeveria do të mundohet që të mos e përdor shprehen Shtetit Islamik dhe alternativa të tjera si Shteti Islamik në Irak dhe Siri apo Shteti Islamik në Irak dhe Levant, por në vend të kësaj do të përdorin akronimin Daesh, i cili tek arabishtfolësit është i përdorur, shprehje kjo që tingëllon si një fjalë që do të thotë të shtypësh.

Fabius gjithashtu ka deklaruar se Shteti Islamik nuk është një shtet por është një grup terrorist.

“Ky është një grup terrorist dhe nuk është një shtet. Unë nuk rekomandoj që të përdoret termi Shteti Islamik sepse kjo gjë mjegullon linjat në mes Islamit, myslimanëve dhe Islamikëve. Duhet bërë thirrje mediave që të ndjekin shembullin tonë. Arabët iu referohen atyre Daesh, dhe unë preferoj që t’i quajmë ata Daesh Cutthroats ”, tha ai.

Termi Daesh shpesh përdoret edhe si Da’ish, që është akronim i emrit të grupit të arabëve Al-Devle al-islamiya fi el-Irak ue el-Sham. Studiuesi në Qendrën ndërdisiplinore në Herzliya në Izrael, Aymenn Jawad al-Tamimi shpjegon se ky term fillimisht, kur filloi që të përdoret, nuk kishte për qëllim që të fyente askënd.

Tamimi thotë se akronimi Daesh është mirëpritur mirë nga kritikët e këtij grupi edhe pse kjo fjalë në arabisht ka konotacione negative, sepse ajo është e afërt me fjalën Daes, që do të thotë të shkelësh me këmbë ose shtrydhje.

Ndërkaq, në SHBA, Nihad Avad, i cili është drejtor ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame, thotë se grupi i tij kishte vendosur që t’i referohej militantëve me akronimin ISIS, ani pse ai personalisht preferon që këtij grupi t’i referohet si “Daesh”, “edhe pse ndonjëherë i referohen edhe si Shteti i Lig”, thotë Avad.

Disa përfaqësues të shoqatave islame në Amerikë pajtohen me akronimet për t’ju referuar këtij grupi, por ata dëshirojnë që këto akronime të mos kenë termin “Islamik”.

Presidenti Barack Obama e ka bërë të qartë se pse ai e shmang të përmendë formulimin Shteti Islamik.

“ISIL nuk është islam. ISIL sigurisht nuk është një shtet”, kishte thënë ai gjatë një paraqitje televizive në fillim të shtatorit, ndërkaq më vonë edhe Shtëpia e Bardhë kishte dhënë sqarime se pse SHBA-të do t’i referohen ISIS-it si ISIL.

Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Radikalizimin, Peter Neumann, tha se termi Daesh nuk ka gjasa që të përdoret ndërkombëtarisht dhe sipas tij akronimi ISIS gjen përdorim më të gjerë dhe më të lehtë në të gjitha gjuhët.

“Është e rëndësishme të bëhet e qartë se ISIS nuk përfaqëson islamin e zakonshëm dhe unë nuk mendoj se Daesh është një fjalë  e cila do të gjejë një përdorim të madh në Perëndim dhe se Franca ka humbur tashmë betejën e akronimeve”, tha ai.

“Vetëm duke përendur fjalët Shteti Islamik nuk do të thotë se ju e njihni atë si shtet. Njerëzit e kuptojnë se ata janë mashtrues dhe se një emër është thjesht emër”, tha ai, shkruan New York Times, transmeton lajmi.net.