Berisha përmend institucionet që kanë dështuar në parandalimin e sulmit terrorist në Ibër-Lepenc

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se Agjencia e Intelegjencës së Kosovës(AKI) ka dështuar në parandalimin e sulmit terrorist në kanalet e Ibër-Lepencit të premten, sulm ky që rrezikoi infrastrukturën kritike të Kosovës. Berisha, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për siguri, tha se rrjeti i spiunazhit…

Lajme

02/12/2024 18:25

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se Agjencia e Intelegjencës së Kosovës(AKI) ka dështuar në parandalimin e sulmit terrorist në kanalet e Ibër-Lepencit të premten, sulm ky që rrezikoi infrastrukturën kritike të Kosovës.

Berisha, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për siguri, tha se rrjeti i spiunazhit të AKI-së është dekonspiruar.

“Nëse e lëmë anash për një moment shpërthimin dhe fokusohemi te pjesa e parandalimit, përsëri arrijmë në përfundim se shërbimet e inteligjencës kanë dështuar të parandalojnë një sulm terrorist, njëjtë sikurse në Banjskë. Mesa duket rrjeti i spiunazhit të AKI-së është i dekonspiruar”, tha ai.

Në orët e mbrëmshëm të së premtes ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të Zubin Potokut ku si pasojë u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe termocentralet.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se lidhur me këtë sulm ka të arrestuar dhe prova materiale. Sipas tij, kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të përballen me fuqinë e ligjit.

Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, reaguan autoritetet vendore e ambasadorët e QUINT-it. Përveçse e dënuan sulmin, ambasadorët shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për Kosovën dhe kërkuan që autorët e sulmit të dalin sa më shpejt para drejtësisë.